Njoftim

6 Maj, 2019 Njoftime

Ndahet nga jeta në moshën 76 vjeçare prof. dr. Faik DRINI, arkeolog dhe studiues i mirënjohur i fushës së epigrafisë greke dhe latine, duke lënë në hidhërim të thellë familjen e tij, miqtë, kolegët në qarqet shkencore brenda dhe jashtë vendit dhe dashamirës të shumtë. 
Prof. dr. Faik DRINI u lind më 4 prill 1943, në Berat, ku kreu me sukses studimet e mesme. Studimet e larta i kreu pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, gjatë viteve 1963-1967, me specialitet Histori dhe gjuhë klasike.
Menjëherë pas përfundimit të studimeve nisi punë si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, angazhim të cilin nuk e la asnjëherë, deri në fund të jetës, duke formuar breza të tërë studiuesish të rinj.
Në vitet 1972-1974, ndoqi studimet e thelluara pasuniverstare në Paris-Francë, në Collège de France, École des Hautes Études (IVe Section, Histoire et Philologie), ku u specializua në degët Epigrafi dhe antikitet dhe Epigrafi dhe gjeografi historike e botës helenistike.

Në vitin 1975, u caktua të punojë pranë Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike, më vonë Instituti i Arkeologjisë dhe përgjegjës i Departamenti i Antikitetit, të cilin e drejtoi me profesionalizëm për shumë vite. Ai ka qenë anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit, Sekretar shkencor i Institutit, anëtar i Redaksisë së revistës Iliria, drejtor për palën shqiptare i projektit shqiptaro-francez për gërmime arkeologjike të përbashkëta në Apolloni, bashkëdrejtues i projektit në Butrint për gërmimin e kullës me mbishkrime etj.

Në vitin 1983 fitoi titullin Doktor i shkencave historike, në vitin 1994 Prof. Asoc. Dr. – Mjeshtër Kërkimesh dhe në vitin 2000 fitoi titullin e lartë Prof. Dr. – Drejtues Kërkimesh.
Prof. dr. Faik DRINI është autor i shumë botimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit, ndër më të rëndësishmit përmendim katër vëllimet e “Corpus des inscriptions grecques d’Illyrie méridionale et d’Epire” (në bashkëpunim me profesor Pierre Cabanes), pa harruar dhjetra artikuj të botuar në revistat e specializuara pas ligjëratave të mbajtura në universitete dhe institucione shkencore të huaja në Francë, Greqi, Itali, Gjermani, Austri, Egjipt, Shtetet e Bashkuara etj, për probleme të epigrafisë dhe të historisë së Shqipërisë për periudhën e antikitetit.

Instituti i Arkeologjisë humbi dijetarin skrupuloz dhe njohësin e pashoq të historisë së Ilirisë së Jugut dhe Epirit në antikitet, humbi kolegun e rrallë, fjala dhe pena e të cilit kishin gjithnjë peshë.Prof.dr. Faik DRINI lë pas një vepër të vlerësuar ndërkombëtarisht dhe breza të tërë historianësh dhe arkeologësh që i formoi ndër vite me pasion dhe dashuri.

Të gjithë kemi humbur mikun dhe kolegun e dashur, vendi i të cilit nuk mund të zëvendësohet lehtë !

Homazhet do të mbahen ditën e martë dt. 7 maj, ora 12.00 – 14.00 tek Internacional, prapa ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Tiranë.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL