Prezantimi i botimeve të akteve të konferencës së VI-të ndërkombëtare: “Iliria e Jugut dhe Epirit në antikitet”

9 Prill, 2019 Njoftime

Instituti i Arkeologjisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Universitetin Lyon 2 Lumière dhe Ambasadën e Francës në Tiranë, prezantuan botimin e akteve të konferencës së VI-të ndërkombëtare: “Iliria e Jugut dhe Epirit në antikitet“.

“Iliria e Jugut dhe Epirit në antikitet” është simpoziumi i gjashtë, që organizohet që prej vitit 1984. I pari është mbajtur në Clermont-Ferrand (Francë) me iniciativën e P. Cabanes, i fundit në Grenoble (Francë), në tetor 2008. Çdo gjashtë vjet, kjo veprimtari e rëndësishme bën bashkë gjithë komunitetin shkencor që punon në Ballkan, me kërkime që shtrihen nga periudha para dhe proto-historike, deri në mesjetën e hershme bizantine. “Iliria e Jugut dhe Epirit në antikitet” është simpoziumi i vetëm në këtë fushë dhe bashkon studiues nga vendet e Ballkanit, studiues evropianë dhe amerikanë që punojnë në projektet ndërkombëtare.

Rëndësia e botimit të akteve është e dyfishtë. Së pari, bëhen të njohura zbulimet e fundit në fushën e arkeologjisë, epigrafisë dhe numizmatikës. Në të vërtetë, që me nisjen e projekteve ndërkombëtare në Shqipëri, tashmë edhe në Kosovë, dhe duke marrë parasysh zhvillimin e konsiderueshëm të hulumtimeve në Greqinë veriperëndimore, në veçanti përmes metodës së syrvey-t, ritmi i zbulimeve në këto zona është përshpejtuar. Në këto kushte është e rëndësishme që rezultatet të ballafaqohen me komunitetin shkencor, në një perspektivë të shumëfishtë historiografike dhe ndërdisiplinore.

Së dyti, paraqiten përmbledhje historike në një fushë specifike, që në rastin e Iliria e Jugut dhe Epirit në antikitet VI është ajo e qyteteve, territoreve, popullsive dhe dinamikës mjedisore. Kjo zgjedhje u kushtëzua nga tematikat e hulumtimeve që realizohen nga ekipe të ndryshme, përfshirë këtu dhe studentë të doktoraturës. Në fakt, konferenca u krijoi mundësinë doktorantëve që të paraqisnin punimet e tyre. Konfrontimi mes përvojës së akumuluar nga studiuesit e vjetër dhe rinovimi i tematikave të propozuara nga hulumtuesit e rinj, ka dëshmuar në simpoziumet e fundit se është një kombinimi i duhur për një kërkim shkencor dinamik dhe të suksesshëm. Studiuesit e rinj u paraqitën me më shumë se tridhjetë postera, çka dëshmon për dinamizmin e tyre. Nga ana tjetër, kuadri kronologjik nga prehistoria deri në periudhën bizantine, mundëson një sqarim më të mirë të proceseve transformuese që kanë ndodhur në këto rajoneve përgjatë shekujve, duke i lejuar të gjitha disiplinat e shkencave të antikitetit të japin kontributin e tyre.

Suksesi i këtyre takimeve matet nga numri në rritje i vendeve të përfaqësuara dhe i kolegëve që dëshirojnë të paraqesin rezultatet e kërkimeve. Në botimin e akteve të simpoziumit të VI-të, janë përfaqësuar 12 shtete me mbi 130 studiues. Duhet theksuar fakti se për herë të parë, në traditën e kësaj veprimtarie shkencore, ajo u zhvillua në një vend ballkanik, gjë që inauguron një traditë që duhet të konsolidohet.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL