Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, kreu sot një vizitë pune në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashine në Tiranë. Ai u prit nga Kryegjyshi, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmon Brahimaj. Qëllimi i vizitës ishte nënshkrimi i një memorandumi për bashkëpunim mes dy institucioneve në fushën e aktivitetit shkencor, gjurmues dhe arsimor, fusha që mund të zgjerohen në vazhdim në bazë të përvojave që do të dalin gjatë realizimit të kësaj marrëveshjeje.
Për një periudhë 4-vjeçare, institucionet angazhohen në projekte me interes të përbashkët, botime, konferenca, shkëmbim materialesh arkivore dhe në lehtësimin e veprimeve në biblioteka dhe arkiva.
Kryegjyshi Haxhi Dede Edmon Brahimaj i shprehu mirënjohjen rektorit Përzhita që e mirëpriti kërkesën e Kryegjyshatës për këtë marrëveshje dhe pranoi dhuratën me disa botime të fundit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, midis tyre dhe përbledhjen me dokumente arkivore “Shteti dhe komunitetet fetare, 1948-1950” (Instituti i Historisë-ASA, 2022).
Rektori Përzhita vizitoi më pas disa nga mjediset më me interes të selisë së shenjtë si Muzeu Botëror Bektashian, ku ekspozohen koleksione të rralla objektesh, veshjesh, botimesh për fenë bektashiane e ku kalon në pasqyrë një histori shekullore nëpër Shqipëri. Aty gjen dhe një koleksion të përhershëm veprash arti të artistit Omer Kaleshi.
Në shoqërinë e studiuesit Nuri Çuni dhe bibliografit Maksim Gjinaj, rektori Përzhita pa nga afër arkivin e Kryegjyshatës ku ruhen dokumente për aktivitetin e fesë bektashiane në Shqipëri prej vitit 1878. Pranë arkivit ndodhet biblioteka me rreth 7 mijë ekzemplarë, së cilës do t’i shtohen së shpejti si dhuratë botimet kryesore të Akademisë së Studimeve Albanologjike.