Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe autoritete të tjera të ASA-s pritën sot një delegacion nga Institucionet Evropiane të Arsimit të Lartë të Arteve të Bukura të përbëra nga: Akademia e Arteve të Bukura të Romës, përfaqësuar nga muzeologu Claudio Libero Pisano; Universiteti i Arteve të Bukura Dresden, përfaqësuar nga rektori Oliver Kossak dhe Universiteti Hungarez i Arteve të Bukura në Budapest, përfaqësuar nga rektori István Erős.
ASA është pjesë e agjendës së takimeve dhe vizitave në institucione, muze dhe galeri që po kryen në kryeqytet ky delegacion. Anëtarët e tij ndodhen në Tiranë në kuadër të Projektit EXPANSION EU4ART, ku Universiteti i Arteve ka aplikuar për një partnership mes 6 institucionesh të Arsimit të Lartë në Artet e Bukura, çka e vendos UA-në në një nivel të ri të ndërkombëtarizimit të studimeve.
Aleanca EU4ART i është përkushtuar bashkëpunimit dhe shkëmbimit të praktikave që synojnë të zgjerojnë infrastrukturën, njohuritë ekzistuese dhe krijimin e kurseve të përbashkëta të universiteteve partnere. Bazë për këtë do të ishte krijimi i një kurrikule të përbashkët për artet e bukura dhe i një rrjeti evropian punëtorish për mësimdhënien dhe praktikën artistike.
Akademia e Studimeve Albanologjike e gjen veten në këto perspektiva duke qenë institucion i arsimit të lartë e për më tepër, në pritje për rihapjen e shkollave të Masterit dhe Doktoraturës, në programet e të cilave parashikohet mësimdhënia nga një qasje ndërdisiplinore edhe ndaj kulturës dhe arteve, duke integruar metoda të reja pedagogjike dhe teknologjitë digjitale.
Pas takimit, delegacioni vizitoi fondet arkeologjike në ASA dhe Muzeun Arkeologjik, hapësirë që është pjesë e guidave të përhershme, sidomos për studentët e arteve vizuale në Universitetin e Arteve.