Ndërron jetë në moshën 73-vjeçare akademike Edi Shukriu. Lajmin e ka dhënë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK). “Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë opinionin se më 17 janar 2023 ndërroi jetë akademike Edi Shukriu, një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.”
Varrimi do të bëhet më 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Akademike Edi Shukriu u lind në Prizren më 1950. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu në vendlindje dhe studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Pas doktorimit në Universitetin e Prishtinës (1990) punoi në Muzeun e Kosovës (1974-1979) dhe nga viti 1979 në UP, ku ligjëroi kurse në Degën e Historisë për lëndët Arkeologji, Histori e Lindjes së Lashtë, Histori e Greqisë dhe Romës. Themeloi Grupin e Arkeologëve të Rinj “Shtjefën Gjeçovi” të Universitetit të Prishtinës (1986-1990), organizoi ekspedita arkeologjike dhe ekspozita tematike në Koleksionin Arkeologjik të Fakultetit Filozofik dhe më pas themeloi Degën e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, me drejtimet Antropologji Kulturore dhe Arkeologji, ku ligjëroi kurset semestrale Histori e Qytetërimeve, Histori Antike, Arkeologji e Kohës së Gurit dhe Arkeologji Dardane.
Veprimtarinë shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore dhe në prezantimin e saj brenda dhe jashtë vendit.
Udhëhoqi hulumtimet arkeologjike në Vërmicë (1974-1975), Gjonaj (1975), tumat e Porodimes, tumën e Cernicës (1987) dhe të Komoranit (1974), Kalanë e Veletinit (1986), Gradishën e Vlashnjës (2002) dhe në Ulpianën antike, si hulumtim i parë me bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të kurseve të Universitetit Veror të UP. Ishte pjesë e ekipit të hulumtimeve në Kalanë e Prizrenit, Glladnicë te Graçanica, Bajë të Pejës, Romajë dhe Gadime të Epërme. Evidentoi vendbanimet e fortifikuara në Strezovc, Marec, Gushicë, Vuçak, Godanc, Korishë, Batushë, Harilaç etj. Ishte një prej themeluesëve të Muzeut Arkeologjik në Prizren (1973). Siguroi pjesëmarrje të studentëve në hulumtime arkeologjike në Kosovë, Shqipëri dhe Austri, si dhe studimet në arkeologji në Francë.
U angazhua në lëvizjen për liri, krijimin e shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e proceseve demokratike dhe njëkohësisht edhe për pjesëmarrjen e gruas në nivelet e vendimmarrjes, në jetën publike dhe për jetësimin e barazisë gjinore. U angazhua në Ministrinë e Punëve të Jashtme (1991-1998) dhe ishte deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës (1992-1998), ku veproi si anëtare e Komisionit për Kulturë, Komisonit për Arsim dhe në vazhdimësi në Komisionin për Punë të Jashtme. U caktua Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës-UNMIK (2000-2001) dhe ishte deputete e Kuvendit të Kosovës (2002-2004), ku kryesoi Komisionin për Kulturë.
Bashkëthemeloi Forumin e Gruas të LDK-së (1990) dhe ishte kryetare e tij (1995-2000). Organizoi dhe udhëhoqi demostrata të grave kundër regjimit serb.
Ideoi dhe organizoi aksionin e Forumit të Gruas të LDK-së: Çdo ditë – dy orë mësim (tetor 1991-janar 1992) që ishte nismë për organizimin e shkollimit paralel në Kosovë në shtëpi private. Inicioi themelimin e Operës dhe Baletit të Kosovës, krijoi bërthamën e Filarmonisë së Kosovës, mbështeti fuqimisht vazhdimin e punës së Baletit të Kosovës (2000), si dhe inicoi themelimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës (2000). Bashkëthemeloi partinë Alternativa Demokratike e Kosovës (2004-2013). Ishte Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (2009-2012), anëtare dhe më pas Nënkryetare e PEN Qendrës së Kosovës (2009-2018) dhe anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973).
Ishte Shkencëtare Vizituese në Universitetin e Harvardit (2002) dhe në Universitetin e Vjenës (2001).
Në vitin 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Në vitin 2014 u bë anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg. Për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore u dekorua me çmimin “Dea Dardanciae” të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), Çmimin letrar Beqir Musliu (2019), Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin poetik “Nënqielli” (1990), Çmimin për librin shkencor të vitit “Dardania Paraurbane” (1996).