Në vitin që po lëmë pas, Akademia e Studimeve Albanologjike ka qenë e fokusuar në dy drejtime. Së pari, në albanologjinë përtej nesh, pra në raport dhe bashkëveprim me të tjerët, me homologët në botë, për ta integruar shkencën albanologjike si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të rëndësishëm mbi kërkimin shkencor. Marrëveshjet me universitetet e Ballkanit, të Evropës e më gjerë, po i japin mundësinë Akademisë sonë për të kontribuar dhe njëherazi përfituar në projekte ku identiteti shqiptar ka shumë për të treguar në mesin e identiteteve kulturore të popujve dhe qytetërimeve, të cilat diskutohen dhe analizohen në tregun e përbashkët të kërkimit shkencor.
Aspekti i dytë në fokus, kanë qenë çështjet e albanologjisë brenda nesh, pra në raport me veten, që është reflektur në konferencat mbarëkombëtare për çështje të gjuhës, historisë, antropologjisë, edhe për faktin se Akademia e Studimeve Albanologjike ka një shtrirje kudo ku flitet shqip, nga Tirana në Prishtinë, Shkup, Mal të Zi, Tivar, diasporë.
Si rezultat i kësaj strategjie që parashikohet të vazhdojë kështu, së paku deri në vitin 2027, dhe bazuar në Ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, ASA po ndjek rrugën dhe mekanizmat e zhvillimit që e bëjnë këtë institucion lider në studime albanologjike.
Me qëllim ndërkombëtarizimin e cilësisë së kërkimit shkencor, në vitin 2022, ASA ka nënshkruar disa marrëveshje ndërkombëtare, mbarëkombëtare dhe në nivel kombëtar. Po përmendim disa, përveç marrëveshjeve që secili institut albanologjik ka pasur me institucionet homologe shqiptare dhe ndërkombëtare:
– Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike (Tiranë), Institutit Albanologjik (Prishtinë) dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Shkup). Në bazë të këtij dokumenti u realizuan një sërë konferencash të përbashkëta, ndër të cilat më e rëndësishmja ishte “Një komb, një gjuhë”; u zhvillua panairi i përvitshëm “Botime Albanologjike” në Prishtinë; u promovuan botime dhe u organizuan lektoriume shkencore nga specialistë të fushave të albanologjisë e kulturës kombëtare.
– Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike që i hap rrugë bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, në përputhje me strategjitë përkatëse të zhvillimit të institucioneve dhe të vendeve respektive.
– Marrëveshje bashkëpunimi 5-vjeçare mes Shkollës Franceze të Athinës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila garanton shkëmbimin e eksperiencave në kërkimin shkencor, zhvillimin e programeve të përbashkëta edukuese, trajnuese, aktivitete kulturore, botime, akses në koleksionet arkivore për kërkuesit shkencore të të dyja palëve, seminare, konferenca ose shkolla verore e deri në botime të përbashkëta.
– Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Universitetit të Sofjes “St. Kliment Ohridski”, e cila parashikon bashkëpunimin në shkëmbimin e produktit shkencor, organizmin e konferencave të përbashkëta, shkëmbimin e personelit akademiko-mësimdhënës, hapjen e një programi të ri studimesh universitare në nivel bachelor për Ballkanologji (me lëndë që mbulojnë historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, antropologjinë, kulturën e artin) me pedagog të përbashkët nga të dy institucionet, por dhe nga universitete të tjera të Shqipërisë.
– Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Ministria e Kulturës nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për digjitalizimin, restaurimin, konservimin dhe ekspozimin e koleksioneve të objekteve të trashëgimisë kulturore që ASA disponon.
– Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Bashkia e Tiranës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi 1-vjeçare për organizimin e një cikli seminaresh të përmuajshme me shkollat e mesme të Tiranës që kishte për qëllim njohjen dhe edukimin e të rinjve me trashëgiminë kulturore e historike, materiale e shpirtërore të Tiranës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar në Tiranë, u parashikuan vizita të organizuara në kala, muze dhe qendra historike në sitet arkeologjike të Tiranës dhe rrethinave të saj të udhëhequra nga arkeologë, arkitektë, studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
– Në zbatim të Ligjit “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri”, Nr. 80/2015, si dhe në zbatim të strategjive të zhvillmit, statuteve dhe rregulloreve përkatëse të të dy institucioneve palë, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje mbetet hapja dhe promovimi i programeve studimore, me theks të veçantë në ato të avancuara, në lëmej si studimet rajonale, saktësisht ato ballkanike dhe europiane, si dhe krijimi i kushteve dhe praktikave më të mira për shkëmbim të stafit akademik dhe qarkullim studentësh në zonën europiane e rajonale.
Për vitin 2023 Akademia e Studimeve Albanologjike synon të ketë një rol aktiv lidhur me politikat arsimore mbi gjuhën, kulturën dhe historinë në Republikën e Shqipërisë, rajon e më gjerë; të bëhet një qendër ekselence për studimet ballkanike, një vizion që bazohet te kapacitetet akademike dhe organizative, si dhe te nevoja dhe dëshira për dije të thelluara dhe krahasuese mbi rajonin e Europës Juglindore.
ASA është në një rrugë të mbarë për procesin e akreditimit, i cili do t’i japë mundësinë asaj të përcjellë dijen albanologjike në fushat e historisë, arkeologjisë, antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë nëpërmjet shkollave të Masterit e të Doktoraturës.