U zhvillua Panairi i Parë i Librit Albanologjik

8 Tetor, 2022 Njoftime

Në kuadrin e veprimtarive të përbashkëta shkencore ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), Tiranë, Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) dhe Institutit të Trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve (ITShKSh), Shkup, që rrjedhin nga marrëveshja e lidhur midis këtyre institucioneve në vitin 2021, në mjediset e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në datat 4 e 5 tetor 2022, u hap Panairi i Parë i Librit Albanologjik, me botime të tri institucioneve, veprimtari që do të jetë e përvitshme dhe me rotacion nga njëra qendër kërkimore shkencore në tjetrën.


Veprimtarinë e hapi drejtori i IAP, prof. dr. Hysen Matoshi. Pastaj përshëndetën rektori i ASA-s, prof. dr. Luan Përzhita, si dhe drejtori i ITSHKSH, prof. dr. Skënder Hasani, të cilët e vlerësuan këtë panair për mundësinë që i jep librit shkencor të shkojë pranë përdoruesit, si dhe nxit bashkëpunimin midis tri institucioneve për projekte e botime të përbashkëta.

Në datën 4 tetor, në kuadrin e botimeve të tri qendrave, ndër të tjera, u paraqitën dhe botimet e vitit 2021 e pjesërisht të vitit 2022 të ASA-s. Zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha paraqiti përmes fotove e ilustrimeve 47 vepra të botuara në këtë periudhë. Ai vuri në dukje se ato mishërojnë një punë të përkushtuar e serioze të gjithë institucioneve e punonjësve të tyre në përbërje të ASA-s (botime ndërinstitucionale, botime të Institutit të Arkeologjisë, të Institutit të Historisë, të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit, si dhe botime enciklopedike). Prof. Memisha u ndal në revistat shkencore të ASA-s (Albanian studies) dhe të çdo instituti (Iliria, Candavia, Studime historike, Studime filologjike, Antropologjii dhe Studime për artin), në botimet shkencore me grup studiuesish, në botimet monografike, në botimet e përmbledhjeve me artikuj shkencorë e studimeve vetjake, në botimet e Akteve të veprimtarive shkencore kombëtare e ndërkombëtare, në botimet e dokumenteve, në botimet e traditës të tipologjisë “Kolana” etj.


Prof. Memisha, dha dhe një informacion tepër të shkurtër për botimet e vitit që po mbyllim. Për këtë vit ASA ka miratuar botimin e 40 veprave të reja shkencore.


Në datën 5 tetor 2022, në kuadrin e paraqitjes së veprave të veçanta shkencore, në prani të dhjetëra të pranishmëve, u bë promovimi i veprës monografike “Dardanët”, me autor rektorin e ASA-s e arkeologun e mirënjohur, prof. dr. Luan Përzhita. Vepra sendërton një punë 40-vjeçare dhe rezultatet dhjetëra ekspeditave arkeologjike në terren. Promovimin e çeli drejtori i IAP-it, prof. dr. Hysen Matoshi. Studiuesi Arbën Hajdari, profesor i Arkeologjisë dhe i Historisë antike në Universitetin “Hasan Prishtina” të Prishtinës, theksoi se ky punim është një kontribut i çmuar për njohjen historisë socio-politike, ekonomike dhe kulturore të dardanëve e Dardanisë në shekuj. Studimi është mbështetur në ndërthurjen e burimeve të shkruara antike, atyre epigrafike, si dhe rezultateve të gërmimeve arkeologjike. Vepra është e ndarë në 5 kapituj (Rreth origjinës së Dardanëve, Mbretëria dardane, shekujt IV-I para Krishtit, Dardanët dhe Roma, Nga Kostandini te Justiniani, Dardanët dhe Perandoria Bizantine, shek. VI-IX).


Duke iu referuar pasurisë së informacionit shkencor, gjerësisë dhe saktësisë së analizave prej autorit, i cili i ndodhur edhe përballë pamjaftueshmërisë së materialit historik etj., ka ditur t’i kapërcejë vështirësitë me të dhëna të reja arkeologjike, një pjesë e konsiderueshme të realizuara prej tij, përmes identifikimit dhe analizës së një numri domethënës vendbanimesh e vendvarrimesh etj. “Kësisoj”, konkludon Hajdari, “studiuesit dhe profesionistët e fushës do të kenë në dispozicion një studim në ambientet e tyre për debate shkencore, kurse studentët dhe mësimdhënësit një monografi të rëndësishme për Dardaninë, ku do të mund të gjejnë të sintetizuar me mjaft kujdes të dhëna mbi ecejaket e kësaj hapësire gjeografike, që nga prehistoria e deri në Mesjetë”. Prof. dr. Aurel Plasari e vlerësoi “Dardanët” si një prurje serioze në studimet tona shkencore, duke u ndalur në bibliografinë shteruese, në ardhjen sistemore të informacionit shkencor e në nivelin e ngritur të këtij informacioni, në sqarimin profesional të tipareve e veçorive shumëplanëshe të periudhave historike në të cilat ka kaluar Dardania. Ai theksoi se një vepër shkencore e përudhësojnë te lexuesi, titulli, autori dhe lënda që ngërthen në faqet e saj. Dhe te monografia “Dardanët” këto i gjen, ashtu siç duhet dhe në përputhshmëri për t’u vlerësuar. Kjo mundëson, sipas studiuesit, që vepra të ketë një rreth të gjerë lexuesish, krahas atij të profilizuar e të specializuar.

Prof. V. Memisha, si redaktor i veprës, foli ndër të tjera edhe për gjuhën e saj, për terminologjinë shkencore të konsoliduar, për sintaksën dhe narrativën shkencore, që mundësojnë një lexim informues, por dhe të këndshëm të lëndës. Ilustrimet cilësore, fotografitë, skicat apo diagramet janë një komponent shumë i rëndësishëm në vepër dhe ato tregojnë jo thjesht një punë të domosdoshme në një vepër arkeologjike-historike, por dhe përgjegjësinë shkencore të autorit të saj.
Për veprën diskutuan dhe pjesëmarrës të tjerë, si prof. Enver Rexha drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Prishtinë, prof. Isak Sheme, rektor i Universitetit “Iliria”, Prishtinë etj.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL