Në mbështetje të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, Institutit Albanologjik – Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, u finalizua së fundi marrëveshja mes tripalëshe mes drejtuesve të këtyre institucioneve.
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita udhëtoi këto ditë në Prishtinë për të firmosur marrëveshjen me drejtuesin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi dhe pak ditë më parë prof. dr. Skëndër Asani (ITShKSh) ishte në Tiranë për ta zyrtarizuar këtë marrëveshje.
Sipas këtij dokumenti parashikohet:
1. Të organizohet Konferenca e përbashkët (mbarëkombëtare) shkencore “Një komb – një gjuhë”. Konferenca e merr shtysën nga 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë 1972) dhe do të trajtojë çështje që lidhen me gjuhën shqipe dhe, pazgjidhshmërisht me të, me kombin shqiptar, gjatë 120 vjetëve të fundit.
Konferenca do t’i zhvillojë punimet në të tri kryeqendrat dhe përkatësisht:
– më 22 nëntor në Shkup (datë që përkon me mbylljen e punimeve të Kongresit të Manastirit, 1908, si dhe të veprimtarisë “Ditë të Alfabetit”, të organizuara nga ITShKSh);
– më 23 nëntor në Prishtinë;
– më 24 nëntor në Tiranë (ku bëhet dhe mbyllja e punimeve).
Të gjitha aktet e Konferencës treditore “Një komb, një gjuhë” do të botohen në një vëllim të posaçëm, i cili do t’u çelë rrugën botimeve të çdovitshme të përbashkëta midis tri institucioneve albanologjike.
2. Të zhvillohet panairi i përvitshëm “Botime Albanologjike”, me vepra nga ASA, IAP, ITShKSh, sipas parimit të rotacionit. Në shtator 2022 panairi do të mbahet në Prishtinë, ndërsa në vitin 2023 në Tiranë dhe në vitin 2024 në Shkup.
3. Të promovohet, në vazhdimësi, veprimtaria botuese e ASA, IAP, ITShKSh për vitin pararendës në të tri qendrat albanologjike. Institucioni pritës, mundëson përurimin e veprimtarisë së institucioneve homologe.
4. Të bashkëpunohet për botime e promovime shkencore:
a. Botime të përbashkëta veprash shkencore.
b. Botime artikujsh në revistat shkencore të tri institucioneve.
c. Recensime veprash etj.
5. Të organizohen lektoriume shkencore nga specialistë të fushave të Albanologjisë e kulturës kombëtare.
6. Të paraqiten draft-projekte për studime të përbashkëta ndërmjet tri institucioneve.
7. Të hapen ekspozita fotografike për ngjarje historike, për gërmime arkeologjike, për pasurinë etnografike etj.