Më 26 tetor mbahet në Shkodër, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” konferenca “Drejt një strategjie të albanologjisë”. Është një konsultë e cila do të shërbejë si prelud i një bashkëpunimi afatgjatë mes tri qendrave albanolgjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, në prag të nënshkrimit të memorandumit në Ditët e Albanologjisë që organizohen çdo dhjetor.
Takimi hapet nga prof. dr. Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe përshëndetet nga prof. dr. Suzana Golemi, rektore e Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, prof. asoc. dr. Sabit Syla nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, dr. Skënder Asani nga Instituti Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup dhe nga prof. dr. Ylber Sela prej Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës e RMV-së po në Shkup.
Në konferencë prof. dr. Artur Lama, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë diskuton për planin e ri strategjik për studimet gjuhësore-letrare; prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi trajton perspektivën dhe sfidat e studimeve historike; prof. asoc. dr. Belisa Muka hedh disa piketa rreth strategjisë së kërkimeve arkeologjike, ndërsa dr. Olsi Lelaj bën një bilanc mbi arritjet dhe akset kërkimore nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.
Në fund të takimit do të ketë diskutime për të dalë në një draft mbi strategjinë në fushën e kërkimeve albanologjike. Në takimet e muajit tetor që Akademia e Studimeve Albanologjike pati me ministren e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Evis Kushi dhe presidentin e Republikës z.Ilir Meta, u diskutua hedhja e këtij hapi që jep garanci jo vetëm për autonominë e ASA-së, por sidomos për shfrytëzimin e autoritetit të saj në dhënien e ekspertizës për tekstet shkollore dhe në ngritjen cilësore të kërkimit shkencor në fushat e albanologjisë.
E gjitha kjo i paraprin kalendarit të ngjeshur të zhvillimeve që ASA është duke projektuar për vitin 2022.