Ditën e shtunë, dt. 16 tetor 2021, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha, ishin të pranishëm në veprimtarinë e organizuar në Muzeun Kombëtar të Arsimit, Korçë, njohur ndryshe si ndërtesa e Mësonjëtores së Parë Shqipe, nga znj. Elva Margariti, ministre e Kulturës, me rastin e dhurimit bibliotekës së këtij Muzeu të një pakete librash shkencorë të botuar prej Akademisë sonë.
Ministrja Margariti e falënderoi rektorin dhe, përmes tij, gjithë punonjësit shkencorë për këtë nismë me vlera dhe theksoi se sipërmarrje të tilla janë të mirëpritura dhe për institucione të tjera që varen nga Ministria e Kulturës. Ajo i mëshoi faktit se marrëveshja midis Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Ministrisë që ajo drejton krijon mundësi shumë të mëdha e më të gjera bashkëpunimi.
Rektori Luan Përzhita falënderoi ministren për vlerësimin për dhurimin e librave, e uroi atë për nismën e sipërmarrë, si dhe theksoi se Akademia e Studimeve Albanologjike do të dhurojë dhe një paketë tjetër botimesh shkencore, një proces që do të jetë i hapur dhe i pandërprerë dhe në të ardhmen. Ai theksoi gjithashtu se ASA ka pasuri që u përkasin të gjitha fushave të albanologjisë (historisë, arkeologjisë, antropologjisë, gjuhësisë e letërsisë) dhe që lidhen më fije të shumëfishta me arsimin e me arsimimin kombëtar dhe që mund të ndihmojnë në pasurimin jo vetëm të bibliotekës së Muzeut Kombëtar të Arsimit, por edhe të enteve të tjera përbërës të këtij institucioni.
Të ftuarit vizituan mjediset e Muzeut, i cili, pas restaurimit të fundit, ka marrë një pamje tërësisht tjetër, me mundësi të mëdha e me teknika bashkëkohore informimi e formimi dhe është bërë tepër miqësor e funksional për gjithë.