Më datë 20 dhjetor 2019, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Franqisk A. Santori dhe trashëgimia gjuhësore e letrare e shqiptarëve”. Kjo konference u organizua me rastin e një përvjetori të rëndësishëm, 200 vjetorit të lindjes së shkrimtarit arbëresh dhe ishte pjesë e “Ditëve të Albanologjisë 2019”, aktivitete këto që mbyllin vitin studimor të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe më gjerë të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë mbajti fjalën e hapjes dhe paraqiti përshëndetjet e rastit.
Merita Bruci (Akademia e Studimeve Albanologjike), në referatin e saj “F. A. Santori mes njohjes dhe mosnjohjes” theksoi faktin se Santori pati fatin e keq të mos i gëzohej botimit të veprave të tij të cilat mbetën kryesisht të pabotuara apo me shmangie nga origjinalet dorëshkrim. Vetëm vitet e fundit vëmendja e filologëve është kthyer drejt kontributit të jashtëzakonshëm të Santorit në fushën e shkrimit shqip.
Gianni Belluscio (Universiteti i Kalabrisë) në paraqitjen e tij “Santori në dritën e disa të dhënave të reja biografike” theksoi se leximi i një pjese të panjour të letërkëmbimit të tij, dhe falë një përkimi të rastit, kemi tani mundësi për të shtuar disa të dhëna të reja për biografinë e tij dhe për jetën e tij pas vitit 1860, diçka që, me sa duket, ka zhvillim të mëtejshëm deri në ditët e sotme.
Laura Smaqi (Akademia e Studimeve Albanologjike) në kumtesën “Santori mes lirikës dhe satires” tërhoqi vëmendjen mbi faktin se vizioni plot ndjesi dhe energji i nuancave që shkojnë nga ekzaltimi në dhimbje, ndërthuret tek Santori me imazhet e jetës së përditshme. Satirat i bashkojnë lidhjes vertikale njeri-gjithësi, një eksplorim horizontal të karaktereve njerëzore.
Tomorr Plangarica (Akademia e Studimeve Albanologjike)në kumtesën “Rikuptimësimi përgjatë rileximit të mesazheve poetike të F. A. Santorit” u përqendrua në faktin se prurjet e sotme në shkencat e ligjërimit mundësojnë të rilexojmë në vijimësi veprën e Santorit, të rikuptimësojmë mesazhet e përçuara përmes saj dhe të vlerësojmë sërish vendin e tij në historinë e letërsisë në gjuhën shqipe.
Kristaq Jorgo (Universiteti i Tiranës) në paraqitjen “Botimi kuantematik: një hipotezë pune me shembullzime nga tekste poetike të F. A. Santorit” shtroi pyetjen se a mundet dhe sa mundet parimi i kuantifikimit harmonik të na shërbejë si mjet pune për identifikimin të vullnetit nyjëtimor të autorit Santor.
Zeqirja Neziri (Universiteti “Sh. Cirili e Metodi”, Shkup) në kumtesën “Përkime midis rapsodive të Santorit dhe këngëve të eposit heroik shqiptar” veçoi elemente të ngjashme ose të njëjta, si dhe përputhje me personazhet e Eposit Heroik Shqiptar. Pikëtakimet mbështeten jo vetëm në këngët kushtuar Skënderbeut, por edhe në këngët kushtuar personazheve të tjerë të kësaj periudhe.
Klara Kodra (Tiranë) në paraqitjen e kumtesës “Kallogrea kalloqare” – ndoshta komedia e parë në letërsinë shqiptare u përqendrua në faktin se Santori ka meritën historike të lëvrimit “të tokave të virgjëra” në letërsinë shqiptare. Ai e pasuron letërsinë arbëreshe dhe shqiptare me gjininë e dramaturgjisë me të cilën i prin zhvillimit të gjinisë në fjalë në atdheun e origjinës. Ai i fal letërsisë arbëreshe dhe shqiptare tragjedinë e parë Neomenia, po edhe komedinë e parë “Vejusha koprace” të panjohur për një kohë të gjatë prej studiuesve.
Edmond Çali (Universiteti i Napolit “L-Orientale”) në kumtesën “Lëvrimi i romanit në vargje si zgjedhje e ndërgjegjshme e Santorit për të komunikuar me lexuesin” drejtoi vëmendjen mbi këtë zgjedhje të Santorit si dhe mbi faktin se botimi i kësaj pjese të veprës së Santori-t nga Gradilone dhe Fortino janë një pjesë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme e studimeve filologjike në fushë të shqipes.
Evalda Paci (Akademia e Studimeve Albanologjike) në kumtesën “Rreth disa teksteve të liturgjisë së krishterë në krijimtarinë e F. A. Santorit” u ndal gjerësisht mbi motive biblike të shtjelluara në krijimtarinë e A.F.Santorit; veçanti të trajtimit dhe elemente origjinale të përmbajtjes;çështje të reflektimit të shkrimtarisë së A.Santorit dhe të gjurmimit të ndërtimeve të veçanta gjuhësore; sintagma me vlerë terminologjike në tekstet e Santorit dhe raste të përkimit me ndërtime të ngjashme në leksikun themelor të teologjisë së krishterë.
Arian Leka (Akademia e Studimeve Albanologjike) në kumtesën ““Përrallëzat” e Santorit, krijimtari, përkthim dhe përshtatje – motivet dhe burimet e tyre” mori shtysë prej vlerësimit të atyre studiuesve që e cilësojnë Frangjisk A. Santorin si njërin prej autorëve më të hershëm dhe më origjinalë në përkthimin, rimodelimin dhe krijimin e fabulës në letërsinë shqipe dhe i vështrojë, vlerësoi dhe vendosi përrallëzat e këtij shkrimtari brenda marrëdhënieve strukturore dhe tipologjike.
Anila Omari (Akademia e Studimeve Albanologjike) në kumtesën “Pjetër Bogdani në arbërishten e Santorit: një përpjekje për afrimin e dialekteve të shqipes” u shpreh se në të njëjtën hulli të arbëreshëve të shquar shohim edhe autorin tonë jubilar Franqisk Anton Santorin. I ndikuar nga modeli i De Radës, në veprat e tij ai përdor një gjuhë me bazë të folmen arbërishte të katundit të tij, por të zgjeruar me variante formale të të folmeve të tjera arbëreshe, dhe me prirje për përdorimin e formave konservative. Duke dashur të zgjerojë mjetet shprehëse të gjuhës së veprave të tij ai përdor edhe leksik nga tekstet e autorëve të vjetër të shqipes ballkanike.
Ardian Doka (Universiteti i Tiranës) në kumtesën “Santori bashkëthemelues i një arbërishteje për të gjithë” theksoi ndër të tjera se format fonetike dhe morfologjike që u përkasin të folmeve të ndryshme arbëreshe, të pranishme në veprën e Santorit, dëshmojnë për vetëdijen e ngulët të autorit se gjuha e letërsisë duhej t’i kapërcente caqet ngushtësisht lokale për t’u folur sa më shumë njerëzve.
Anila Kananaj (Akademia e Studimeve Albanologjike) kumtoi “Mbi sintaksën dhe semantikën e fjalës ‘për’ në shqipen e shek. XVI – XIX, rasti Santori”. Ajo theksoi se hulumtimet në fushë të semantikës dhe sintaksës së shqipes shek. XVI – XIX përbëjnë padyshim një fushë pak të eksploruar dhe me mjaft interes për studimet gjuhësore mbi shqipen dhe më gjerë. Objekt i studimit është sintaksa dhe semantika e fjalës “për” në shqipen e periudhës së lartpërmendur,
Valbona Sinanaj (Akademia e Studimeve Albanologjike) në kumtesën “Alternimi i mbylltoreve të pazëshme /të zëshme në të njëjtën fjalë në veprën e Santorit”, vuri në dukje se autorët arbëreshë janë përpjekur ta shkruajnë gjuhën shqipe me një alfabet të përshtatshëm, por gjithmonë kanë hasur vështirësi në gjetjen e duhur të grafemave, të cilat t’i përgjigjeshin veshjes tingullore të sistemit fonematik të arbërishtes. Duke nisur nga fillimet e shek. XVII, dy traditat alfabetike kryesore (italo-latine në Gegëri dhe greke në Toskëri) i gjemë edhe ndër arbëreshët e Italisë. Kumtuesja u ndal veçmas në alternimin e mbylltoreve të pazëshme/të zëshme (p/b, t/d, q/gj, k/g) në të njëjtën fjalë në veprën e Santorit.
Erzen Koperaj (Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”) paraqiti temën ‘Mbi përdorimin e disa formave të pashtjelluara foljore (prë me u gëzuarë, vjen me thënë) në veprën e F. A. Santorit” pasi në veprat e Santorit ndeshim shembuj disi befasues të përdorimit të disa formave të pashtjelluara me vlerë paskajoreje të tipit “me thënë”, që njihet ndryshe si paskajorja e gegërishtes, përshkak se sot ajo mungon në të folmet e toskërishtes.
Valter Memisha (Akademia e Studimeve Albanologjike) në kumtesën e tij “Leksiku dituror në veprën e Santorit” vuri në dukje se spektri shumë i gjerë i prurjeve, që e vendos Santorin në krye të krijuesve arbëreshë të shekullit XIX, na përball, ndër të tjera, edhe me një pasuri leksikore e frazeologjike të spikatur. Ai solli disa fusha leksiko-semantike, si leksiku që lidhet me botën e dashurisë, leksiku i botës së luftës, leksiku fetar, leksiku etnokulturor, leksiku i gatimtarisë, etnobotanizmat, etnozoologjizmat, etj. Gjithashtu theksoi se janë parë dukuri të fjalëformimit dhe ato të sistemësisë në fjalëformim që kanë lidhje të drejtpërdrejta me këto fusha.
Dhori Q. Qiriazi (Universiteti Aristotelian i Selanikut) mbajti kumtesën “Rreth vendit dhe rolit të greqizmave në veprën e Santorit dhe në të folmet e në letërsinë arbëreshe”. Vepra deri më tash e botuar e F. Santorit paraqet interes të posaçëm edhe sa i përket gjuhës së saj. Aty kemi një përpjekje të vetëdijshme e të suksesshme për krijimin e një arbërishteje tej caqeve të të folmeve vendore, e cila ngërthen ndërkaq edhe elemente të traditës librore. Në këtë kuadër meriton vëmendje vendi, roli dhe përdorimi stilistik e si burim neologjizmash i greqizmave në veprën e Santorit e -duke u nisur prej saj- në të folmet dhe në letërsinë arbëreshe.
Artur Lamaj (Akademia e Studimeve Albanologjike) në kumtesën “Vështrim etnosemanik për “Përrallëzat” e përpunuara nga Santori” theksoi se me gjurmëlënien e teksteve klasike, fabulat e përkthyera a përpunuara nga Santori, na mundësojnë të njohim jo vetëm evolucionin e gjuhës shqipe [arbërishtes], normat dhe doket kulturore të një diaspore historike por edhe statusin e jetësinë e pasurisë së saj leksikore, sintaksore, e mjeteve të shprehjes poetike – përkrah disa gjuhëve europiane.
Juliana Kume (Akademia e Studimeve Albanologjike) në trajtesën “Ngjyrimet leksiko-semantike në satirën e Santorit” e përqendroi vëmendjen mbi vjeljet leksikore nga vargjet satirike, në trajtën e një fjalorthi, njësitë e të cilit analizohen e krahasohen me leksikun me përdorim të përgjithshëm të shqipes, si dhe klasifikimi i tyre sipas gjuhës prej nga janë huazuar me denduri në të folmet arbëreshe, si dhe krijimet leksiko-semantike të autorit me vlerë për mbarë gjuhësinë shqipe.
Rosario Golemme, arbëresh nga Kajverici (Kalabri) në paraqitjen në arbërisht dhe italisht “F.A. Santori nella memoria popolare” u shpreh se tani është tepër vonë që të mund t’i japim një varrim të denjë Santorit, por është një detyrë e madhe që na takon të gjithve: të rikuperojmë kujtimin e tij në këtë 200 vjetor të lindjes. U desh një kohë e gjatë, por në fund vepra e tij dha një shtysë të re për ruajtjen e një pasurie me vlerë të madhe kulturore.
Edlira Gugu, (Universiteti “Aleksander Xhuvani” Elbasan) në kumtesën “Krijimtaria e Santorit (në dramë e prozë) në kritikën letrare shqiptare “ u ndal në faktin se Santori dhe krijimtaria e tij përbën një zë të veçantë në letërsinë shqipe dhe ka ngjallur interes të studiuesve të ndryshëm shqiptarë në kohë të ndryshme. Kumtuesja u fokusua në mënyrat e vështrimit, metodat e përdorura dhe nivelet e interpretimit të krijimtarisë së Santorit
Neli Naço (Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë) në punimin ““Këngëtorja Arbërore” si ndërtuese e hershme e antropologjisë shqiptare të lirikës” saktësoi se një nga rastet më të hershme të ndërtimit të lirikës me një antropologji thellësisht shqiptare haset tek “Këngëtorja Arbëreshe (Il Canzoniere Albanese)” e Santorit si një vepër që bart origjinalen dhe autentiken shqiptare brenda saj. Për të vepra e Santorit “Këngëtorja Arbëreshe (Il Canzoniere Albanese)” përbën një nga shembujt më të parë të ndërtimit antropologjik të shqiptares brenda lirikës.
Pranë sekretarisë së Konferencës u depozituan edhe dy kumtesa dërguar nga Italo C. Fortino me “Santori dhe letërsia arbëreshe” dhe Oreste Parise me “L’impegno sociale e la difesa della identità di Francesco Antonio Santori, cantore del popolo” të cilat do të jenë pjesë e botimit të akteve të kësaj Konference.
Në përfundim të Konferencës drejtuesit e paneleve vunë në dukje se Konferenca arriti objektivat e saj: u paraqit kontributi i Santorit si dokumentues dhe pasurues i shkrimit shqip në shekullin XIX; u vu në dukje kontributi i tij si inaugurues i disa gjinive letrare në letërsinë shqipe; u rivlerësua krijimtaria e tij letrare në dritën e zbulimeve dhe botimeve të reja kritike të veprave letrare apo varianteve të tyre .