Në vijim të zbatimit të marrëveshjes dypalëshe midis Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Departamentit të Studimeve letrare, gjuhësore dhe të krahasuara të Universitetit të Napolit “L’Orientale”, me datë 22 nëntor u mbajt në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë konferenca shkencore “Çështje të kontakteve gjuhësore e letrare italo-shqiptare”, organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASA-s në bashkëpunim me Departamentin e Studimeve letrare, gjuhësore dhe të krahasuara të Universitetit të Napolit.
Thirrjes për konferencën iu përgjigjën një numër i mirë studiuesish nga fushat e studimeve gjuhësore e letrare, si nga dy institutet organizatore, ashtu edhe nga universitete brenda e jashtë vendit, si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Shkodrës, Universiteti Ca’ Foscari i Venecies, Universiteti i Bolonjës etj.
Konferenca i zhvilloi punimet në dy panele të veçanta, sipas fushave studimore: paneli i gjuhësisë dhe ai i studimeve letrare.
Në panelin e Gjuhësisë, i cili u drejtua nga prof. dr. Anila Omari (ASA), prof. dr. Alberto Manco nga Universiteti i Napolit solli një kontribut nga fusha e përkthimit të letërsisë antike, duke u përqendruar në përkthimin në italishte të nocionit polemos ‘luftë, përplasje, mosmarrëveshje etj.’ të Heraklitit në disa variante përkthimesh të krahasuara. Prof. as. dr. Guido Cappelli, studiues i letërsisë në Universitetin e Napolit, solli të dhëna nga veprimtaria e Skënderbeut dhe e paraardhësve të tij në Mbretërinë e Napolit duke u mbështetur në tekste e dokumente të reja e të pabotuara. Prof. dr. Aljula Jubani nga Universiteti i Tiranës vuri në dukje rolin e intelektualëve arbëreshë në Rilindjen kombëtare shqiptare dhe drejtimin perëndimor që i dhanë ata lëvizjes kombëtare shqiptare. Kumtesa e dr. Ledi Shamkut (Universiteti i Bolonjës) rikujtonte nënshkrimin e marrëveshjes mes gjuhëtarit të shquar italian Tullio de Mauro dhe Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë 14 vjet më parë dhe sillte në vëmendje një nga pikat e akt-marrëveshjes, projektin e usus-it të shqipes së shkruar dhe të folur i cili ende nuk ka gjetur zbatim. Prof. dr. Mimoza Karagjozi-Kore (Universiteti i Tiranës) u përqendrua në fjalorin dygjuhësh të Francesco Maria da Lecce-s (drshkr. 1702), botuar për herë të parë në 2009, si burim i rëndësishëm për historinë e gjuhës shqipe. Dr. Merita Hysa (Universiteti i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’) duke trajtuar çështjen e konceptit të identitetit në kontekstet bilinguiste, u ndal edhe në disa raste interferencash gjuhësore të italishtes në shqipfolës. Dr. Jolanda Lila (Tiranë) solli rezultatet e një vëzhgimi mbi pasqyrimin e letërsisë arbëreshe në tekstet shkollore shqiptare (1912-1944).
Në panelin e Studimeve letrare punimet u hapën dhe u drejtuan nga prof. dr. Laura Smaqi, shefe e Departamentit të Studimeve letrare (ASA). Kumtesa e mbajtur prej saj u përqendrua në Kontaktet letrare mes Shqipërisë dhe Italisë në vitet ’30-’70 të shek. XX, përmes kontributit të E. Koliqit. Prof. dr. Blerina Suta e Universitetit të Napolit “L’Orientale” paraqiti temën Mërgimi i fjalës si ‘mit’ dhe evolucioni i shqipes letrare: rasti i poezisë dygjuhëshe. Prof. dr. Dhurata Shehri (UT) kumtoi mbi G. Schiro Junior në “Rivista d’Albania”. Prof. as. dr. Lili Sula (UT), paraqiti kumtesën Pararojë e disa qasjeve kritike në albanologji: De Rada i Gualtierit. Prof. as. dr. Kristaq Jorgo (UT), trajtoi Arealin arbëresh në kontekstin e sistemit kulturor gjithëshqiptar. Prof. dr. Persida Asllani (UT), kumtoi mbi Leximet “klasike” të letërsisë shqipe përmes kontributit të studiuesit italo-arbëresh Giuseppe Gradilone. Prof. dr. Klara Kodra tërhoqi vëmendjen Për një rivlerësim në planin estetik të autorëve arbëreshë të Rilindjes. Prof. dr. Diana Kastrati (UT), me temën Moravia takon shqipen: nga indiferenca tek vuajerizmi u përqendrua tek njëri prej autorëve modernë italianë më përfaqësues. Prof. dr. Gëzim Rredhi (U Gj) vuri në dukje Raporte njerëzore italo-shqiptare në letërsinë memuaristike të autorëve italianë. Prof. as. dr. Evalda Paci (ASA), kumtoi mbi Profile studiuesish arbëreshë dhe studimet filologjike shqiptare. Prof. as. dr. Anila Mullahi (UT) u ndal në praninë e Manzonit dhe Leopardit në letërsinë shqipe të gjysmës së parë të shek. XX. Prof. as. dr. Viola Isufaj (UT) u ndal në Ndikime të hermetikëve në poezinë shqipe bashkëkohore (Rasti Zorba dhe Camaj), Ma. Rafaela Marteta (ASA) trajtoi çështjen Përkthimi, kanal i parapëlqyer për takime kulturore. Giacomo Leopardi te Lazer Shantoja.
Të gjitha trajtesat dëshmuan se çështja e kontakteve letrare mes Shqipërisë dhe Italisë fton dhe nxit natyrshëm mendime, hulumtime e diskutime, të cilat pasurojnë mendimin shkencor.