Më datën 1 dhjetor 2019, dr. Ardian Muhaj, kërkues shkencor në Institutin e Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike promovoi në Londër librin studimor: “Nga Ballkani në Mesdhe. Shqiptarët prej Mesjetës në agimin e Kohës së re”. Promovimi u organizua nga “Qendra Shqiptare” me seli në Britaninë e Madhe. Në këtë aktivitet morën pjesë aktivistë të çështjes shqiptare në Londër, studiues, intelektualë dhe lexues të interesuar.
Përveç autorit, mbi vlerat dhe rëndësinë e librit folën studiuesit Sami Islami dhe Genc Drini. Më pas u lexuan fragmente nga libri nga Merita Hoxha, Abedin Bajraktari dhe Buqe Paçarada. Pas prezantimit të librit autori, dr. Ardian Muhaj iu përgjigj interesimit dhe pyetjeve të pjesëmarrësve si edhe paraqiti mendimet e tij mbi rëndësinë e mërgatës shqiptare në historinë shqiptare, jo vetëm në ditët e sotme por ndër shekuj. Ai theksoi se nevoja e nxitjes dhe promovimit të kërkimit shkencor është kusht për zhvillimin ekonomik dhe social-kulturor të shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por edhe në mërgim.