Që prej një jave, në Maqedoninë e Veriut, mbahen “Ditët e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, në 111-vjetorin e Kongresit të Manastirit.
Në kuadër të veprimtarive të këtij eventi, nën kujdesin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, me qendër në Shkup, u organizua edhe një Akademi Solemne në qytetin e Manastirit. Morën pjesë, përveç studiuesve vendas, edhe studiues nga Shqipëria, Kosova etj. Ishin të pranishëm shumë përfaqësues të elitës politike e autoritete shtetërore të Maqedonisë së Veriut, si dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup.
Në Akademinë Solemne të datës 20 nëntor, mori pjesë edhe një përfaqësi e Akademisë së Studimeve Albanologjike e kryesuar nga Rektori Marenglen Verli dhe drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, prof. dr. Valter Memisha. Veprimtarinë e përshëndeti edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi.
Pikërisht, më 20 nëntor, u miratua edhe krijimi i Qendrës Kërkimore “Gonxhe Bojaxhi – Nënë Tereza”. Veprimtaritë për “Ditët e Alfabetit të Gjuhës Shqipe” përmbajnë edhe përurime botimesh të reja për historinë e shkrimit të shqipes dhe personalitetet e saj, ekspozita, inaugurime monumentesh historike etj.
Veprimtaria do të vazhdojë deri më 22 nëntor.