Në datën 15 nëntor dr. Ardian Muhaj, kërkues shkencor i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albaonologjike, mori pjesë në Konferencën e tretë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë me tematikë: “Muzetë dhe edukimi në të ardhmen”, mbajtur në në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës punonjës muzeumesh, ekspertë, kërkues në fushën e muzeologjisë dhe edukimit, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve apo përvojat e tyre në këtë fushë, duke u fokusuar në rolin që muzetë dhe edukimi do të kenë në të ardhmen, në kulturën dhe mirëqenien e vendit. Punimet e Konferencës III të Muzeut të Bankës së Shqipërisë u përshëndetën nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi dhe nga Ministrja e Kulturës zj. Elva Margariti.
Në sesionin e parë të punimeve të Konferencës, dr. Ardian Muhaj mbajti kumtesën: “Historia ekonomike përmes trashëgimisë muzeale”, ku theksoi faktin që studimet e historisë ekonomike në Shqipëri kanë qenë të rralla dhe zakonisht të përfshira në historinë e përgjithshme me karakter dhe përqëndrim në historinë politike. Pasuria muzeale dhe në veçanti muzetë e specializuar, siç është Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Bankës së Shqipërisë, Muzeu Arkeologjik apo edhe muzetë lokalë përmbajnë një trashëgimi muzeale e cila është thelbësore për njohjen e zhvillimit ekonomik përgjatë historisë. Një nga aspektet më të rëndësishme të pikëtakimit mes historisë ekonomike dhe trashëgimisë muzeale është fakti se trashëgimia muzeale shërben si alternativa më e mirë ndaj historisë së shkruar nga fitimtarët. Gjithashtu theksoi rëndësinë që ka numizmatika në historinë eknomike, pasi elementë të ndryshëm të monedhave siç është përmbajtja e metaleve dhe evoluimi i raportit të asaj përmbajtjeje janë dëshmi të inflacionit për një periudhë të caktuar. Të gjitha këto e shumë të tjera e bëjnë pasurinë muzeale një nga elementët më të rëndësishëm në hulumtimet e historisë ekonomike, por edhe në studimin dhe edukimin historik.