Akademia e Studimeve Albanologjike, e përfaqësuar nga rektori, akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Radio Televizioni Shqiptar, i përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm, z. Thoma Gëllçi, nënshkruan një “Marrëveshje bashkëpunimi”, nëpërmjet të cilës, të dy palët bien dakord për zhvillimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta.
Projektet në fjalë kanë si qëllim përkujtimin e ngjarjeve dhe personaliteteve më të rëndësishëm historikë të popullit shqiptar, evidentimin dhe promovimin e vlerave arkeologjike, të gjuhës dhe letërsisë shqipe, të kulturës sonë materiale, të arteve etj. Nëpërmjet dokumenteve të shkruara e materiale, periodikëve e studime shkencore të botuara, fotografive, filmave dokumentarë dhe kronikave filmike, që do të shkëmbejnë dy institucionet, do të mbështetin njëri-tjetrin në veprimtarinë e tyre.
Akademia e Studimeve Albanologjike, sipas fushave që mbulon, do të ofrojë studiuesit e saj si ekspertë për emisione të ndryshme televizive, dokumentarë etj. Radio Televizioni Shqiptar, nga ana e tij do të mbështesë me gazetarë e kameramanë në terren dhe do të pasqyrojë aktivitetet e organizuara nga ASA-ja.