Konferenca shkencore ndërkombëtare me temë qendrore: “Symbiosis on the shores of the Adriatic sea (Encounters and dialogues among cultures)”

8 Tetor, 2019 Njoftime

Në datat 3-5 tetor 2019 në Universitetin e Zarës u zhvillua konferenca shkencore ndërkombëtare me temë qendrore: “Symbiosis on the shores of the Adriatic sea (Encounters and dialogues among cultures)”, organizuar nga revista “Shêjzat”, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, AISSEE dhe Universiteti i Zarës (Kroaci). Në këtë konferencë, prof. asoc. dr. Evalda Paci u paraqit me kumtesën me titull: “Historia e kishës shqiptare në shënimet e Imzot Pooten-it (figura prelatësh dhe provinca të rëndësishme kishtare)”.

U trajtuan në këtë kumtesë të Evalda Pacit disa aspekte të natyrës analitike dhe krahasuese mbi çështje të trajtuara në disa burime që kanë të bëjnë me historinë e kishës shqiptare dhe ndarje të rëndësishme gjeoadministrative, përfshirë dhe reflektimin e rolit të personaliteteve të caktuara, që ndër të tjera figurojnë të jenë dhe autorë që me veprat e përpilimet e tyre kanë shënuar historinë e shkrimit shqip në periudha të caktuara: Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani etj. Në një vështrim përqasës me trajtesa të ngjashme e të zgjeruara në krerët e vëllimit të shtatë të veprës “Illyricum Sacrum”, u vunë në dukje këndvështrime të ndryshme që dalin qartë në shënimet e marra në shqyrtim dhe gjithashtu në burime të tjera të natyrës dokumentare dhe arkivore që për nga objekti tematik e të përpiluara në kohë të ndryshme u përafrohen argumenteve të sipërcituara.

U trajtuan gjithashtu dhe çështje të reflektimit të jehonës së Koncilit të parë të Arbënit (1703) në sinode të më vona kishtare(përfshirë Koncilin e dytë të Arbënit, 1871), si ngjarje që lidhen drejtpërdrejt me zhvillime konkrete historike në vendin tonë.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL