Konferenca shkencore me temë: “Kultura e hershme e shkrimit shqip (shek. XVI-XVIII) – në fokusin e filologjisë dhe të leksikografisë historike të kohës sonë”

2 Tetor, 2019 Njoftime

Më 27 shtator në Buçimas pranë Pogradecit, në mjediset e Fondacionit Nehemia Gateway University, u zhvillua konferenca shkencore me temë: “Kultura e hershme e shkrimit shqip (shek. XVI-XVIII) – në fokusin e filologjisë dhe të leksikografisë historike të kohës sonë”.
Organizator i tubimit ishte Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë Shqipe (IGJLSH) i Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë së Krahasuar e Indoevropiane si edhe të Albanologjisë (VISA LMU Munih/RFGJ).

Tematika kryesore e konferencës u kushtëzua nga zhvillimet e reja që po përjeton sidomos në Perëndim shkenca gjuhësore albanologjike, si një disiplinë komplekse gjuhësore-historike dhe filologjike, por edhe nevoja për një orientim sa më efektiv të studimeve gjuhësore historike e filologjike në hapësirën shqipfolëse në kohën tonë. Synim i tubimit ishte të përqendrohej kryesisht në prurjet e reja që janë përftuar në kërkimin filologjik dhe edicionin kritik të trashëgimisë së teksteve të vjetra shqipe, si edhe në ndryshimet e karakterit metodologjik që përjeton dhjetëvjeçarët e fundit studimi diakronik i leksikut të shqipes në fazën e parë të lëvrimit të saj si gjuhë e shkruar (shek. XVI-XVIII). Studimet në këto fusha kanë fituar tashmë një përvojë të mirë nëpërmjet digjitalizimit të materialit gjuhësor të shqipes së vjetër dhe zbatimit sa më efektiv të metodave të reja në përpunimin kompjuterik të këtij materiali. Këto përparësi mundësojnë brenda një hapësire kohore reale përftimin e një korpusi gjithëpërfshirës të leksikut historik të shqipes, si bazë solide për realizimin e suksesshëm të projekteve afatgjatë siç janë: Thesaurus Linguae Albanicae, Fjalori Historik dhe Etimologjik i Gjuhës Shqipe etj.
Kumtesat që u paraqitën në konferencë sollën kontribute të reja e serioze në fushën e historisë së gjuhës shqipe e të filologjisë së teksteve të vjetra shqipe. Në aspektin metodologjik me rëndësi është kontributi mbi kriteret leksikografike të hartimit të fjalorëve të teksteve të shkruara nga autorë të veçantë, me konkretizim nga leksiku i Gjon Buzukut.
Me interes janë, gjithashtu, studimet në bazë të burimeve të panjohura ose të pahulumtuara si duhet deri sot, si Fjalori italisht-shqip i F. M. Da Lecces dhe Gramatika e gjuhës shqipe e këtij autori, tekstet e arealit jugor të shkruara me alfabetin grek, si Dhiata e Re në përkthimin e V. Meksit dhe redaktimin e G. Gjirokastritit, mbishkrimi i Gravurës së Ardenicës, dorëshkrimi i panjohur shqip i manastirit të Chalkit, fjalë e shprehje shqip me alfabetin arab nga Evlija Çelebiu, si edhe përimtimet në përdorime të veçanta në tekste tashmë të njohura e të studiuara të shqipes së vjetër etj.
Një aspekt i rëndësishëm i konferencës ishte paraqitja e arritjeve bashkëkohore në fushën e digjitalizimit të leksikut historik si dhe të krijimit të korpuseve leksikore të teksteve të vjetra shqipe, me përpjekje për pajisjen e tyre me shënime gramatikore.
Studiuesit e huaj dhe vendas u paraqitën në këtë konferencë me kumtesat e mëposhtme:

– Olav Hackstein (LMU München):“New Advances in Albanian Historical Linguistics: Connecting Albanian Etymologies (Arritje të reja në gjuhësinë historike shqipe: lidhje mes etimologjive të fjalëve shqipe)”.
– Anila Omari (ASA Tiranë / LMU München): “Slawismen im Altalbanischen unter Berücksichtigung der neuen philologischen Editionen: “Dittionario italiano-albanese“ von Da Lecce (1702 – Ms.) – eine unerforschte Quelle (Sllavizmat e shqipes së vjetër nën dritën e botimeve të reja filologjike: “Dittionario italiano-albanese“ i Da Lecce-s (1702 – Ms.) – një burim i pahulumtuar) ”.


– Sergio Neri (LMU München): “Zur Etymologie von albanisch -zet ‚zwanzig‘ (Për etimologjinë e shq. -zet “njëzet’)”.
– Mimoza Priku (Uni Shkodër): “On the traces of an Albanian lexicon: Carlo Tagliavini and the Albanian lexemes of the XVI-XVIII centuries in his opus (Në gjurmët e një leksiku historik të shqipes: Carlo Tagliavini dhe leksema shqipe të shek. XVI-XVIII në opusin e tij)”.


– Elton Prifti (Uni Wien): “Il modello di digitalizzazione del Lessico Etimologico Italiano (LEI) e i progetti di lessicografia storica nell’ambito dell’albanese (Modeli i digjitalizimit të Leksikut Etimologjik të Italishtes (LEI) dhe projektet e leksikografisë historike në fushë të shqipes)”.
– Christiane Bayer (LMU München): “Digitales philologisch-etymologisches Wörterbuch des Altalbanischen (15.-18. Jh.) – Wie wird ein Lemma digital? (Fjalori filologjik-etimologjik i shqipes së vjetër (shek. XV-XVIII) – Si bëhet një lemë digjitale?)”
– Besim Kabashi (FAU Erlangen-Nürnberg / LMU München): “Building diachronic corpora of the Albanian language (Ndërtimi i korpuseve diakronike të gjuhës shqipe)”.
– Alexander Rusakov, Maria Morozova (ILS RAS Saint Petersburg): “The early Albanian texts in an annotated language corpus: An attempt of processing and analysis (Tekstet e vjetra shqipe në një korpus gjuhësor të pajisur me shënime: një përpjekje për përpunim dhe analizë)”.


– Xhevat Lloshi (ASHASH Tiranë): “Complications in Gjon Buzuku’s lexicon (Ndërlikime në leksikun e Gjon Buzukut)”.
– Bardhyl Demiraj (LMU München): “Die albanischen und arumunischen Inschriften auf der Gravur von Ardenica (1731) (Mbishkrimet shqip dhe arumanisht në Gravurën e Ardenicës (1731))”.
– Ina Arapi (Uni Wien): “Das Verbsystem in der Grammatik “Osservazioni grammaticali nella Lingua Albanese” (Roma 1716) von Padre Francesco Maria da Lecce (Çështje të sistemit foljor në gramatikën “Osservazioni grammaticali nella Lingua Albanese” (Roma 1716) të At Francesco Maria da Lecce-s)”.
– Evalda Paci (ASA Tiranë): “On some lexical and phraseological features in works of Old Albanian literature. An retrospective analytical review (Rreth disa veçorive leksikore e frazeologjike në vepra të letërsisë së vjetër shqipe (vështrim analitik retrospektiv))”.

– Dhori Q. Qirjazi / Doris K. Kyriazis (Aristotle Uni. Thessaloniki):“From V.Meksi’s translation to G.Gjirokastriti’s redaction: towards a comparative edition of Albanian texts of NT (Nga “të kthyerit” e V. Meksit tek “epistasia” e G. Gjirokastritit: drejt një botimi krahasues të teksteve shqip të “Dhiatës së Re”)”.
– Fatos Dibra (İstanbul Üni): “The Albanian lexicon of Evliya Çelebi’s Seyahatname in the context of Old Albanian (Leksiku shqip në Seyahatname të Evliya Çelebi në kontekstin e shqipes së vjetër)”.
– Erzen Koperaj & Gëzim Puka (Uni Shkodër): “Kolë Ashta’s contribution to the critical editions of early Albanian literature (Prurje të Kolë Ashtës në botimin kritik të teksteve të vjetra)”.


– Sokol Çunga (AQSH Tiranë) & Bardhyl Demiraj (LMU München): “Ein albanischer Text im Handschriftenbestand des Klosters der Heiligen Trinität auf der Insel Chalki (Një tekst shqip në fondin e dorëshkrimeve të Manasitirit të Shën Trinisë në ishullin e Chalki-t)”.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL