Konferenca shkencore “Zhvillimet në shkencat e ligjërimit dhe lënda e gjuhës dhe e letërsisë në arsimin parauniversitar”

15 Korrik, 2019 Njoftime

Më 12 korrik 2019, në sallat e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua konferenca shkencore “Zhvillimet në shkencat e ligjërimit dhe lënda e gjuhës dhe e letërsisë në arsimin parauniversitar”, organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Studiuesit e këtij instituti në Departamentin e leksikologjisë, terminologjisë e gjuhësisë së zbatuar dhe studiues në Departamentet e gramatikës e të letërsisë, që prej kohësh ndjekin nga afër edhe procesin e hartimit të programeve e teksteve shkollore në lëndët e gjuhës shqipe e letërsisë nxitën mbajtjen e kësaj konference, për të diskutuar, për të nxjerrë në pah e për të propozuar zgjidhje; sidomos për të theksuar domosdoshmërinë e përpunimit të dijeve shkencore në shkencat e ligjërimit, të cilat ndihmojnë drejtpërdrejt në bashkëkohëzimin e dijeve të didaktizuara dhe në suksesin e mësimdhënies e hartimit të teksteve shkollore.
Në seancën plenare të konferencës, në fjalën e tij të hapjes, drejtori i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, prof. dr. Valter Memisha, duke theksuar ndjenjën e përgjegjësisë që karakterizon institucionin që ai drejton ndaj problemeve të zhvillimit të shqipes në etapën e sotme dhe mësimdhënien e shqipes në shkollë, falënderoi pjesëmarrësit në këtë konferencë për gatishmërinë e treguar për të sjellë kontribute në trajtimin e kësaj problematike: pedagogë të departamenteve të gjuhës e të letërsisë në Universitetin e Tiranës, të Elbasanit, të Shkodrës e Vlorës; studiues të institucioneve të përpunimit të mendimit didaktik, mësues me angazhime konkrete në hartimin e teksteve shkollore etj. Në mënyrë të veçantë ai falënderoi pjesëmarrësit nga departamentet e gjuhës shqipe e të letërsisë në universitetet në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. Një falënderim të veçantë ai bëri për profesorët Mehmet Çeliku e Rami Memushaj që iu përgjigjën thirrjes për kontribut dhe vijojnë të ndjekin nga afër e të angazhohen në shqyrtime e produkte të drejtpërdrejta në këtë fushë.


Në ligjëratat e mbajtura në seancën plenare dhe në seancat pasuese të tri seksioneve (të gjuhësisë, të letërsisë e të didaktikës) ligjëruesit u ndalën në mënyrë të veçantë në tri probleme kryesore:

1. në punën që duhet të bëhet nga studiuesit e shkencave të ligjërimit për të përpunuar e ndriçuar aspekte të ndryshme të arritjeve të sotme në fushën e gjuhësisë e studimit të letërsisë, dije që përbëjnë më tej mbështetje të domosdoshme për dijet e didaktizuara e të përzgjedhura që zënë vend në programet e tekstet shkollore të këtyre lëndëve; e po ashtu edhe në gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në bashkëpunimet që duhet të ekzistojnë mes qendrave kërkimore-shkencore, departamenteve universitare dhe institucioneve që përpunojnë mendimin didaktik e produktet e përftuara prej tyre;

2. në problemet aktuale që ka paraqitur hartimi i programeve, teksteve shkollore dhe formimi i mësuesve të gjuhës shqipe;

3. në sugjerimet e propozimet që u duhen drejtuar strukturave administrative për të përmirësuar bashkëpunimin mes institucioneve, për të mundësuar formimin më të mirë të mësuesve të gjuhës e të letërsisë, për të kapërcyer problemet jo të pakta që paraqet situata aktuale e mësimdhënies së këtyre lëndëve, si dhe rezultatet e nxënësve në përfundim të ciklit 9-vjeçar dhe maturës shtetërore.
Ligjëruesit ishin në një mendje që realiteti shkollor i lidhur me mësimdhënien e këtyre disiplinave kërkon një angazhim tejet serioz të të gjithë aktorëve që janë njëherazi përgjegjës për mbarëvajtjen e mëtejshme.


Në fjalën e mbylljes, duke përvijuar përfundimet e punimeve të kësaj konference, prof. dr. Tomorr Plangarica theksoi se kjo konferencë tregoi se ekziston një shqetësim intelektual e shkencor për mbarëvajtjen e mësimdhënies së gjuhës e të letërsisë në arsimin parauniversitar, që studiuesit në qendrat kërkimore-shkencore, profesorati në departamentet e gjuhës e letërsisë e po ashtu edhe specialistët e mësuesit e angazhuar pranë institucioneve të përpunimit të mendimit didaktik ndjekin me vëmendje zhvillimet e sotme, e për më tepër, janë të gatshëm të përballen me sfidat që shfaq mësimdhënia e këtyre lëndëve aktualisht; e po ashtu e quajnë të nevojshme të thellojnë njohjen e përvojave të përparuara perëndimore për të kapërcyer vështirësitë e mangësitë e shfaqura. Është e domosdoshme, theksoi ai, që çdonjëri prej aktorëve që përpunojnë dijet në funksion të mësimdhënies së shqipes të marrë përgjegjësitë e të ofrojë propozimet e rrugët për zgjidhje; bashkëpunimi mbi këtë status të përvijuar qartë të këtyre aktorëve mund të çojë më lehtë në sukses.
Rezoluta që do të pasojë punimet e konferencës e që do t’i drejtohet një publiku më të gjerë, u konsiderua nga pjesëmarrësit si tregues i angazhimit të mëtejshëm më konkret i këtyre aktorëve për nxitjen e interesimeve më të gjera, për përmbushjen e detyrave të sotme për të cilat koha nuk pret.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL