Në kuadër të “Javës së Albanologjisë” , organizuar nga Instituti Albanologjik, Prishtinë, u mbajt edhe një seksion shumë i rëndësishëm kushtuar etnologjisë.
Me dt. 18. 06. 2019, prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Tiranë, mbajti kumtesën “Gurt’ e kufinit: Të jetuarit në situata liminale”. Në këtë fjalë u diskutua për jetën në zonën kufitare Shqipëri-Kosovë, përkatësisht për mënyrën se si “zona kufitare” mund të analizohet si një areal etnografik, mbi të cilën mund të ngrihen pyetje antropologjike se si u ushtrua jeta në kuadër dhe përkundrejt politikave shtetërore. Mbajtja e këtij fokusi, ndihmon për të qëmtuar, jo thjesht raportet e pushtetit në nivel mikro apo në skaje, por edhe për të qëmtuar raportin në mes anës strukturore përvijuar në nivel shtetëror dhe përtej, si dhe për të parë praktikën. Prej këtu, mund të shtrohen pyetje për efektet sociale e kulturore të të jetuarit në këtë zona kufitare. Por përtej sensit konkret të vendosjes së kufirit në mes dy shteteve, një analizë e historive shtetërore në nivel të zonave kufitare, ndihmon për të shqyrtuar zonat e tjera kufitare krijuar në rendin simbolik, zona ku ndeshen kultura tradicionale me atë të projektuar nga shteti.
Falënderime për organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë takim.