Takimi me temë: “Lahti International Writers’ Reunion – LIWRE”

17 Qershor, 2019 Njoftime

Në datat 14 dhe 15 qershor 2019, dr. Arian Leka, studiues i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, mori pjesë në takimin me temë: “Lahti International Writers’ Reunion – LIWRE”.
Duke filluar që nga vitit 1963, më shumë se një mijë autorë, studiues e shkrimtarë – mes tyre disa laureatë të Çmimit Nobel, – kanë marrë pjesë në bienalen unike “Lahti International Writers’ Reunion – LIWRE.” Ky forum i debatit ndërkombëtar mbi letërsinë, fton autorë, studiues, poetë, eseistë e prozatorë, të shkëmbejnë mes tyre dhe të ndajnë me një publik të gjerë dhe aktiv, mendime e ide, duke krijuar dhe zgjeruar kontakte mes kulturave dhe duke ofruar përvoja mbi shkrimin letrar apo mënyrat e studimit të letërsisë bashkëkohore etj.

Dr. Arian Leka u paraqit në “Lahti International Writers’ Reunion – LIWRE” me artikullin me temë: “Erasing the Other from the Weather Map”, duke u ndalur më së shumti në temat e përjashtimit të “Tjetrit” nga kultura, mbi kulturën e “Tjetërsimi”, tezën nacionaliste të eksperimentimit puritan mbi “letërsitë e vogla” dhe “luftën” absurde të spastrimit të gjuhës së “kulluar” letrare nga ndikimet dhe huazimet e çdo forme (oriantalizma, oksidentalizma, globalizma etj), mbi krijimin e një “gjuhe të (s)pastruar” shqipe, përfytyrimine gjuhës si një kamp përqendrimi, në të cilin nuk ka vend për të ndryshmin dhe të huajin, mbi fjalët klandestine dhe fjalët emirante në trupin e gjuhëve ballkanike si dhe çështje të urrejtjes kulturore dhe armiqësimit të kulturave fqinje.

Vëmendje të veçantë për pjesëmarrësit solli edhe ligjërata e dr. Arian Lekës mbi vonesat në proceset shoqërore dhe mbi fenomenin vonesë në kultura dhe sidomos në letërsi: Kësaj teme autori shqiptari i kushtoi pjesën hyrëse të ligjëratës, i titulluar “Pesë minuta vonesë në histori.”
Në fund dr. Arian Leka paraqiti edhe dy dokumente që dëshmojnë forma të marrëdhënies në distancë mes shoqërisë finlandeze dhe asaj shqiptare. Bëhet fjalë për dy tekste botuar përkatësisht në “Demokratia”, e vitit 1929, kur mendimtari Branko Merxhani sjell në vëmendje sistemin arsimor dhe atë politik finlandez, duke shkruar: “Të gjitha vendet e qytetëruara i kanë dhënë rëndësinë më të madhe shkollave fillore, duke i quajtur këto si guri themelor të jetës edukative kombëtare. Një komb nuk mund të jetë i sigurtë për të ardhmen e tij pa organizuar një ushtri ideale e të fortë mësuesish. Statuti i një Shteti të ri si Finlanda, qytetarëve analfabetë u ka mohuar të drejtat politike.”
Dokumenti i dytë që dr. Arian Leka paraqiti përballë publikut finlandez lidhet me një artikull të botuar po në “Demokratia”, e vitit 1932, ku sërish Branko Merxhani i referohet Johan Vilhelm Snellman-it, filozofit, burrit të shtetit dhe njërit prej krijuesve të Finlandës moderne. Duke ia drejtuar jo pa pikëllim shqiptarëve të 87 viteve më parë Merxhani shkruan se ne shqiptarët janë “një popull i vogël si finlandezët dhe s’kemi tjetër mjet për të mbrojtur veten përveç sa ta çlirojmë popullin tonë nga skllavëria dhe errësira e paditurisë. Vetëm një kulturë kombëtare dhe një qytetërim, më i lartë nga ai që kanë fqinjët tonë, do të mundin të sigurojnë të ardhmen tonë!”
Ndërkohë, për të cilësuar rolin e intelektualit në shoqëri autori sjell fjalët e J. V. Snellman-it, ku mes të tjerash shkruhet: “Intelektual nuk do të thotë të veshëç roba të modës, kapello të kohës dhe kollaro që shkëlqen. Grupi intelektual është si truri i një populli. Kombi nuk ju mësoi që të merni një rrogë të majme dhe të dëfreni mbrëmanet nëpër kafenetë, duke lojtur kartëra dhe domino. Të gjithë të diturit e kanë për detyrë të përpiqen për lartësimin e arsimit kombëtar, për të sgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe për të forcuar vullnetin kombëtar. Mësouni fshatarëvet, puntorëvet dhe klasavet të varfëra të qyteteve një mënyrë më të mirë për të jetuar!”
Pjesë të zgjedhura nga artikulli i dr. Arian Lekes në gjuhët finlandezë dhe angleze u publikuan dhe mund të lexohen në linqet në vijim.

https://www.liwre.fi/…/uploa…/2019/06/1ArianLekaSUOMEKSI.pdf

https://www.liwre.fi/…/uploa…/2019/06/1ArianLekaENGLANTI.pdf

Përveç pjesëmarrjes në bienalen unike “International Writers’ Reunion 2019” dr. Arian Leka dha edhe një intervistë për gazetaren Erja Toumaala, e cila u transmetua përmes valëve të stacionit publik të radios finlandeze YLE, që mund të ndiqet në këtë link.

https://areena.yle.fi/1-50142779?autoplay=true

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL