Instituti i Arkeologjisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, prezantuan botimin me titull: “VARREZA E PERIUDHËS ROMAKE NË DURRËS”, i cili ishte një detyrim për të përmbyllur ciklin, nëpër hallkat e të cilit kalon një gërmim i plotë arkeologjik.
Prof. dr. Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës dhe znj. Rudina Zoto, drejtoreshë e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik gjatë fjalës së tyre përshëndetëse përgëzuan autorët për punën e kryer.
Arkeologët e Institutit të Arkeologjisë: Eduard Shehi, Brikena Shkodra-Rrugia, Belisa Muka, Saimir Shpuza, Sabina Veseli si dhe studiuesit e rinj Ulsi Tota e Marlon Koçi, kanë arritur që në një kohë të shkurtër të realizojnë studime cilësore të kategorive të ndryshme të gjetjeve arkeologjike.
Nëpërmjet studimeve të tyre arkeologët kanë synuar dhënien e një informacioni të plotë mbi gërmimin e realizuar në këtë zonë si: tipologjinë e varreve të gjetura, përshkrimin e tyre dhe datimin, katalogun e plotë të gjetjeve: gjetjet prej qelqi, objektet prej qeramike, dy mbishkrimet e periudhës perandorake romake, monedhat, gjetje të tjera të imëta, analizën antropologjike, si dhe hapat e ndërmarra për konservimin e tyre. Të tjera trajtime më të detajuara apo çështje të shkëputura nga tërësia e gjetjeve besojmë se do të pasojnë në të ardhmen duke shtuar më tej njohuritë mbi këtë gërmim dhe varrezë antike.