Seminari i Antropologjisë

3 Qershor, 2019 Njoftime

Më datë 30 maj 2019, prof. asoc. dr. Evalda Paci mori pjesë në Seminarin e Antropologjisë, të organizuar nga Departamenti i Antropologjisë i Fakultetit Filozofik, në Universitetin e Prishtinës. Prof. asoc. dr. Evalda Paci u paraqit me ligjëratën me titull: “Antropologji e antikitetit përmes nocionesh dhe emërtesash themelore të botës latine e romake(vështrim gjuhësor, historike krahasues)”. Në këtë ligjëratë u parashtruan një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me historinë e qytetërimit romak dhe reflektimin e elementeve bazë të tij përmes veprave të letërsisë së shkruar latine, të shqipëruara në disa variante dhe nga klasicistët tanë më të mirë. Rimarrja e një sërë emërtesash që pasqyrojnë jetëgjatësinë e mjaft koncepteve dhe mbijetesën e aspekteve të organizimit të një qytetërimi të konsoliduar gradualisht e që la gjurmë të hershme në psiken e popujve evropianë, analizimi i materialeve burimore që sillen përmes korpuseve juridike të mesjetës dhe konsiderimi i referencave themelore që vijojnë të jenë të tilla dhe sot e kësaj dite për studiuesit e periudhave kryesore të historisë së Romës, qenë disa nga argumentet që u trajtuan në këtë ligjëratë.

Terminologjia e së drejtës romake dhe mbijetesa e mjaft emërtimeve nga kjo fushë u analizua përmes shembujsh që konkretizohen dhe në tekste specifike në gjuhën shqipe. Proverbialiteti qe gjithashtu një linjë që u ndoq me shembuj tipikë nën synimin për të nënvizuar dhe format unike të transmetimit të mendimit dhe të pikëpamjeve të autorëve latinë mbi aspekte themelore të mënyrës së jetesës në Romën e lashtë, përfshirë dhe disa gjini shkrimore e letrare që u përuruan në periudha kyçe të zhvillimit të qytetërimit përkatës.

Pas ligjëratës pati dhe diskutime e reflektime me vlerë mbi rëndësinë e studimit të gjuhës e të kulturës latine në universitetet shqiptare e në veçanti në drejtime studimi specifike siç janë arkeologjia, antropologjia dhe studimet mbi antikitetin.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL