Seminari permanent “Përthyerje antropologjike”

30 Maj, 2019 Njoftime

Departamenti i Etnologjisë (IAKSA) në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare njofton për takimin e radhës të seminarit permanent “Përthyerje antropologjike”, në datën 31 maj 2019, ora 17:00, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare.

E ftuar,  dr. Linda Gusinë, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, pjesë e Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik.

Abstrakt

Prezantimi synon të shpalosë angazhimin e grave në proceset politike dhe dukshmërinë e tyre në sferën publike përgjatë viteve ‘90 në Kosovë. Në frymën e protestave paqësore, gratë aktiviste ishin të parat që reaguan dhe u mobilizuan ndaj përshkallëzimit të dhunës që mori hov në ato vite. Ashtu siç kanë dëshmuar hulumtimet e vetëdijshme për veçoritë gjinore, gratë dhe burrat marrin pjesë në mënyra të ndryshme në projektin e shtet-formimit. Ndërlidhja e kombit me gjininë, nuk ka qenë gjithmonë e dukshme në ligjërimin, analizën dhe kërkimet mbi kombet, megjithatë kombet nuk janë neutrale ndaj gjinisë. Roli i grave në projektet kombëtare shpesh përshkruhet si simbolik, pasi gratë supozohet të kenë mishëruar kufijtë dhe nderin e kombit.

Në Kosovë, ligjërimi i amësisë ka qenë qendror mes grave politikisht të angazhuara në rezistencë paqësore. Shfrytëzimi i konceptit dhe simbolikës së amësisë si formë e mobilizimit të grave përshtatej me filozofinë e përgjithshme të rezistencës paqësore dhe idiomat kombëtare në përgjithësi. Në kontekstin e Kosovës, sfera private dhe familja ishin më së shumti strehë e konsolidimit të rezistencës dhe jo hapësirë ku rishqyrtoheshin pabarazitë dhe padrejtësitë në të. Kjo krijoi përvoja që e dallojnë Kosovën nga vendet tjera në rajon duke krijuar mundësi të reja të mobilizimit të grave. Kufizimet e imponuara jo vetëm nga shoqëria tradicionale, por edhe nga sistemi shtypës, gjithashtu patriarkal, e bëjnë këtë pozicion të shfrytëzueshëm. Edhe pse ky mobilizim nuk është domosdoshmërisht për gruan dhe në emër të gruas, ai ka krijuar agjensi dhe ka shtruar rrugën për lëvizje të grave në Kosovë. Përderisa sot, lëvizjet feministe ngjallin globalisht shpresën e krijimit të asaj që Nancy Fraser e quan “kontrapublikja subalterne”, kërkimet dhe dokumentimet rreth rezistencave lokale krijojnë hapësira kujtese mbi proceset e caktuara historike dhe sociale dhe mënyrat e ndryshme se si gratë janë përvijuar jo vetëm në rrafshin simbolik të sakrificës dhe kujdesit për kombin, por edhe si subjekte që flasin.

Biografi

Dr. Linda Gusia është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Sociologjisë. Interesi i saj kërkimor përfshin çështjet që lidhen me gjininë, nacionalizmin në kontekstin e konfliktit dhe luftës, kujtesën, hapësirën publike dhe nocionin e përfaqësimit. Në hulumtimin e saj doktoral, Dr. Gusia rishikon lidhjen komplekse mes gjinisë dhe nacionalizmit, duke nisur nga aktivizmi i grave në lëvizjen paqësore përgjatë viteve ’90 e deri te dhuna seksuale si strategji lufte, për të rishikuar kështu politikat gjinore bashkë me përfaqësimet e tyre vizuale dhe tekstuale. Gusia përfundoi studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës (2016), pas një MA në New York University (2003). Linda, është bashkëthemeluese e Programit për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Së fundmi, projekti i saj kërkimor mbi reflektimin rreth sistemit paralel të arsimit gjatë viteve ’90 në Kosovë, ndërtimin e Muzeut të Edukimit dhe kujtesën e digjitalizuar është mbështetur nga AHRC – Këshilli Hulumtues i Arteve dhe Humaniteteve në Mbretërinë e Bashkuar.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL