Aktiviteti i përmuajshëm ligjërues e diskutues “Lectorium”

1 Prill, 2019 Njoftime

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (Akademia e Studimeve Albanologjike) në Tiranë, në kuadër të aktivitetit të përmuajshëm ligjërues e diskutues “Lectorium”, në aktivitetin e radhës të organizuar më 28 mars 2019, kishte të ftuar prof. dr. Isak Shema, i cili prezantoi temën: “Letërsia shqiptare në dritën e studimeve bashkëkohore të shkencës së letërsisë (Arritje në studimin e letërsisë gjatë periudhës pesëdhjetë vjeçare)”.

Aktiviteti u përshëndet nga drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, prof. dr. Valter Memisha si dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin studiues të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë si dhe profesorë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Prof. dr. Isak Shema paraqiti në mënyrë të përmbledhur veprimtarinë shkencore, arsimore dhe kulturore, të zhvilluar gjatë periudhës së gjatë pesëdhjetë vjeçare. Ai paraqiti studimet për shkrimtarët e letërsisë shqipe të traditës dhe të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe për veprat e tyre të letërsisë, arritjet dhe veçoritë e punimeve dhe të veprave të botuara, vlerësimet nga kritika letrare – shkencore dhe ato gjatë punës shumëvjeçare universitare si profesor i Letërsisë bashkëkohore shqipe dhe i disa lëndëve të tjera, siç janë: Qytetërimi shqiptar, Metodologjia e punës shkencore etj.

Prof. dr. Isak Shema prezantoi edhe veprimtarinë në fushën e arsimit shqiptar, të hartimit të planeve dhe të programeve mësimore, hartimit dhe botimit të teksteve shkollore etj.
Në fund të kësaj veprimtarie u bë edhe promovimi i botimit më të fundit të prof. dr. Isak Shemës me titull: “Veprimtaria e Faik Konicës Bruxelles 1896-1902”.

Gjithashtu Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë i’u dhurua materiali arkivor i Arkivit të Mbretërisë në Bruxelles, Dosja me fotokopjet e dokumenteve për Faik Konicën.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL