Prof. asoc. dr. Enkeleida Kapia mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të zhvilluar në Universitetin e Zyrihut me datë 26 dhe 27 nëntor me tematikë: “First steps towards an interactive map of Balkan linguistic features”.
Ajo foli për projektin e sintaksës dialektore të filluar në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe zgjidhjet që ofrojnë të dhënat e vjela prej tij në disa drejtime: në aspektin e teorisë dialektore të shqipes, për dilemat e ngritura mbi konvergjencën e “Balkan Sprachbund”, si edhe në drejtim të çështjeve formaliste teorike të sintakses sot. Në këtë konferencë kishte edhe albanologë të tjerë si prof. Sobolev, prof. Rusakov, Maria Morozova e Veton Matoshi, të cilët sollën të dhëna me qasje të reja sasiore për dialektet e shqipes. Kolegët nga Greqia, Serbia, Maqedonia, Rumania dhe Greqia ofruan gjithashtu të dhëna të ndryshme për dialekte të ndryshme të gjuhëve të tyre.
Qëllimi ishte bashkërendimi i korpuseve të ndryshme gjuhësore për krijimin e një korpusi të gjerë ballkanik.