Marrëveshja midis ASA-së dhe Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë

1 Nëntor, 2018 Njoftime

Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, u organizua sot ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit midis Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi me 23 universitete publike e jopublike të vendit si edhe me Akademinë e Studimeve Albanologjike të përfaqësuar nga rektori, akad. prof. dr. Marenglen Verli.

Marrëveshjet parashikojnë shfrytëzimin e ekspertizës dhe kompetencës shkencore të universiteteve dhe qendrave kërkimore të vendit në procesin legjislativ dhe kontrollin parlamentar, si një vlerë e shtuar dhe e mirë publike për vendin. Marrëveshjet nxisin rritjen e fuqisë kontratuale të universiteteve dhe qendrave kërkimore në tregun e kërkimit shkencor në Shqipëri. Marrëveshjet parashikojnë gjithashtu që studentët do të kenë mundësi të bëjnë më shumë praktika pune në Kuvendin e Shqipërisë dhe universitetet të kenë më shumë akses në burimet dhe veprimtaritë e Kuvendit.

Rektorët e falënderuan Kryetarin e Kuvendit për këtë mundësi të re që u krijoi universiteteve e qendrave kërkimore, Kuvendi i Shqipërisë. Ata e vlerësuan si një ngjarje të rëndësishme faktin që për herë të parë universitetet shqiptare thirren në Kuvend me një ofertë konkrete bashkëpunimi. Gjatë bashkëbisedimit u rrahën mendime mbi disa aspekte themelore, në të cilat duhet të përqendrohet veprimtaria akademike e kërkimore-shkencore në Shqipëri; si të vazhdohet e thellohet reforma në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, si të fuqizohet bashkëpunimi midis vetë universiteteve e qendrave kërkimore,  si edhe nevojën për rritjen e burimeve financiare, materiale e njerëzore për fuqizimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL