Më datën 24 tetor 2018 në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër zhvilloi punimet konferenca shkencore kombëtare me temë “Zhvillime gjuhësore dhe letrare në periudhën e Pavarësisë”, organizuar nga Departamenti i Gjuhës shqipe dhe ai i Letërsisë i këtij universiteti në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademinë e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Në seancën plenare të kësaj konference, prof.dr.Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ASA, kumtoi mbi temën « Paradigma e gjuhës shqipe në veprën e M.Frashërit ».
Prof.dr.Tomor Plangarica, (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASA), kumtoi mbi temën « Mbi disa prirje të zhvillimeve e kërkimeve gjuhësore, letrare e kulturore në mjedisin intelektual të Elbasanit (1912-1944).
Në seancat tematike kushtuar studimeve gjuhësore dhe letrare në periudhën e Pavarësisë kumtuan prof.as.dr.Evalda Paci, me temën « Fillesa gjurmimesh mbi tekstet e vjetra shqipe (kontribute dhe personalitete) »,
Dr.Vilma Jazexhiu-Proko, me temën « Një vëzhgim mbi botimet terminologjike në periudhën e Pavarësisë ».
Në përmbyllje të punimeve të kësaj konference e mori fjalën prof.dr.Valter Memisha, i cili përgëzoi sërish nismën e një veprimtarie të tillë shkencore në universitetin e Gjirokastrës dhe drejtoi diskutimet që u bënë në vijim në lidhje me argumentet e trajtuara në këtë konferencë.