Në datat 10-12 tetor, u mbajt konferenca ndërkombëtare “Practices, Materiality, Places and Temporality: New Approaches in Albanian Studies”. Ky tubim shkencor u organizua prej bashkëpunimit mes Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (Tiranë), Departamentit të Historisë (Universiteti i Tiranës), Institutit të Etnologjisë Krahasuese të Mesdheut dhe Europës (IDEMEC, Aix-en-Provence) dhe Qendrës për Studimet Turke, Osmane, Ballkanike dhe të Azisë Qendrore (CETOBAC Paris).
Në fokus të kësaj konference ishte paraqitja e risive tematike dhe kërkimore në fushën e studimeve shqiptare, bashkë me perspektivat e tyre për të ardhmen. Çështjet që u ngritën fokusoheshin te studimet e praktikave sociale, materialitetit, vendeve dhe temporalitetit në kontekstin shqiptar.
Rreth 50 studiues të disiplinave të ndryshme paraqiten risitë studimore gjatë tre datave të kësaj konference, objektivi final i së cilës qëndronte në reflektimin kolektiv mbi qasjet aktuale dhe projektimet në të ardhmen të studimeve shqiptare.
Shënojmë se prezantimet u grupuan rreth tetë çështjeve kyçe:
- Studimet shqiptare në 20 vitet e fundit
- Kërkimi ndërdisiplinor në kontekstin shqiptar
- Studime mbi komunizmin dhe post-komunizmin: impakti i tyre në studimet shqiptare
- Lokalizimin i studimeve shqiptare në studimet (post-) osmane, europiane dhe mesdhetare
- “Kthesa materiale” dhe studimet shqiptare
- “Kthesa vizuale” dhe studimet shqiptare
- “Kthesa hapësinore” dhe studimet shqiptare
- “Kthesa kohore” dhe studimet shqiptare
Në këtë aktivitet shkencor, prof. as. dr. Nebi Bardhoshi, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, përveçse ofroi një sintezë për ndryshimet dhe prurjet e reja në fushën e antropologjisë kulturore në studimet shqiptare, ndaloi gjatë mbi konceptin e temporalitetit (kohësisë), te mënyra se si e ka analizuar ai në punën e tij, mbi të drejtën zakonore, informalitetin, shtetin dhe analizën kritike të mendimit etnologjik shqiptar.
Mikaela Minga, drejtuesja e Departamentit të Folklorit, ofroi një panoramë reflektivo-kritike mbi zhvillimin e studimeve folklorike sot, duke u ndalur në çështjet e reja studimore (muzika urbane) dhe sfidat për të ardhmen.
Olsi Lelaj, drejtuesi i Departamentit të Etnologjisë, në fjalën e tij, ndaloi te çështja e vizuales si një shteg i ri hulumtimi në studimet etnologjike shqiptare, si dhe për mundësinë që ky zhanër studimor ofronte për thelluar debatin mbi dijen etnologjike në situatë diktatoriale.