Seminari XII Ndërkombëtar i Albanologjisë

3 Tetor, 2018 Njoftime

Në datën 28 shtator 2018, në Universitetin e Tetovës zhvilloi punimet Seminari XII Ndërkombëtar i Albanologjisë, me temë “Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë (Scanderbeg between history and literature)”, ku morën pjesë edhe punonjës shkencorë nga Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Para se të fillonin punimet e Seminarit, rektori i Universitetit, prof. dr. Vullnet AHMETI, së bashku me drejtuesit më të lartë të Universitetit, pritën në një takim të posaçëm një grup nga studiuesit tanë, në përbërje të cilit ishin prof. dr. Valter MEMISHA, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, prof. dr. Anila OMARI dhe dr. Arian LEKA. Pritja kaloi në një atmosferë vëllazërore dhe u shkëmbyen mendime për shtimin e forcimin e marrëdhënieve midis Universitetit të Tetovës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, për shkëmbimin e produktit shkencor respektiv, si dhe për harmonizimin më të mirë të punës së përbashkët kërkimore e studimore në fushat e Albanologjisë. Drejtori Valter Memisha bëri një paraqitje të punës në Akademi dhe në Institut dhe e falënderoi rektorin e Universitetit për pritjen edhe në emër të drejtorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, akademikut Marenglen VERLI.

Seanca e parë e Seminarit XII iu kushtua përurimit të veprës “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, hartuar nga akademik Kolec TOPALLI, kur ai punonte pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Qendrën e Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Studimeve Albanologjike), Tiranë. Vepra është miratuar nga Këshilli shkencor i këtij Instituti dhe botimi mban siglën e Qendrës dhe të Institutit. Propozimi institucional, për ta përuruar atë dhe në Universitetin e Tetovës, u mirëprit nga organizatorët e Seminarit.

Fjalën e rastit, në këtë seancë përuruese, e mbajti prof. dr. Valter MEMISHA, i cili u ndal shkurt në jetën dhe veprën e akademikut Kolec TOPALLI.

Mandej për vlerat e rëndësinë e veprës referuan tre përfaqësues nga hapësirat shqipfolëse mbarëkombëtare: prof. dr. Anila OMARI, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë;

prof. dr. Begzad BALIU, Universiteti i Prishtinës 

dhe prof. dr. Berton SULEJMANI, Universiteti i Tetovës.

Rektorit të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet ADEMIT, në emër të Akademisë së Studimeve Albanologjike iu dhurua simbolikisht nga prof. dr. Valter MEMISHA një kopje e fjalorit. Kurse nga rektori iu dhurua atij një portret i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i punuar në tunxh.

Paraqitje e veprës u vlerësua nga pjesëmarrësit e shumtë në këtë veprimtari.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL