Ndahet nga jeta prof. Çlirim Bidollari

25 Shtator, 2018 Njoftime

Me hidhërim lajmërojmë ndarjen nga jeta, me 22 shtator, të ish punonjësit të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, prof. Çlirim Bidollarit.

Çlirimi lindi në vitin 1946 në një familje me vlera e tradita nga rrethinat e Korçës. Prirjet e tij për gjuhët dhe në veçanti për gjuhën shqipe si dhe dashuria për arsimin e çuan në shkollimin profesional të mesëm pedagogjik në Normalen e njohur të Elbasanit e më pas në fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tiranës ku mbaroi studimet për gjuhë e letërsi shqipe dhe ruse. Rezultatet e mira, njohja e disa gjuhëve të huaja dhe formimi i tij i përgjithshëm solid e kualifikuan në pedagog të rusishtes në fakultetin e Mjekësisë e më pas të stilistikës ruse në Fakultetin e Histori-Filologjisë. Në Institutin e Gjuhësisë ai filloi punë në vitin 1988 si punonjës shkencor në departamentin e Historisë së gjuhës e të Onomastikës, degë studimi që u synua të përforcohet me ardhjen e tij në institut. Në fushën e Onomastikës Çlirimi punoi një kohë të gjatë, deri sa doli në pension, duke arritur rezultate të prekshme në këtë fushë pak të lëvruar të gjuhësisë. Ai përfundoi dhe botoi një fjalor patronimik të shqipes, si dhe disa studime monografike për antroponiminë e toponiminë shqiptare të botuara në revistën Studime Filologjike. Me punën sistematike e këmbëngulëse ai fitoi edhe titujt e gradat shkencore, nga doktor i shkencave deri në titullin Profesor. Çlirimi botoi një numër artikujsh e studimesh jo vetëm në revistat brenda vendit Studime Filologjike, Gjuha Jonë, Studia Albanica etj., por edhe në revista me emër të institucioneve shkencore të Europës, si Revista Italiane e Onomastikës, revista e Institutit Oriental të Napolit, revista Onoma në Belgjikë, revista e Studimeve gjuhësore e ballkanike në San Peterburg etj. Ai mbajti dhe një numër kumtesash në kongrese e konferenca të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, si në Gjermani, Spanjë, Itali, Greqi. Aftësitë e tij mësimdhënëse u provuan edhe në lektoratet e gjuhës shqipe që mbajti në Universitetin Kopernik në Torunj të Polonisë dhe në Institutin e gjuhëve dhe kulturave orientale në Paris. Çlirimi ishte anëtar i disa redaksive shkencore të revistave të Institutit dhe të revistave onomastike të disa instituteve jashtë vendit, anëtar i këshillit shkencor të institutit të gjuhësise e disa kohë sekretar shkencor i tij.

Çlirimi vuajti për disa vjet nga një sëmundje e rëndë, por kujdesi i vazhdueshëm i familjes dhe përkushtimi i veçantë sidomos i bashkëshortes Keti, ia lehtësuan vuajtjet dhe ia përmirësuan cilësinë e jetës edhe në kushtet e sëmundjes.

Me ndarjen e tij nga jeta familja humbi njeriun e dashur, babain e gjyshin e dhembshur, ne kolegët e tij të institutit të gjuhësisë humbëm jo vetëm një studiues të mirë, por edhe një mik të mirë, një njeri të kulturuar e modest e një qytetar të ndjeshëm për fatet e vendit.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL