Simpoziumi i 51-të vjetor i ALE

9 Korrik, 2018 Njoftime

Me 28-29 qershor 2018 u zhvilluan punimet e takimit të 51 vjetor të ALE (Atlasi i Gjuhëve të Europës) në Baia Mare të Rumanisë. (Për më shumë hollësi lidhur me ALE shih: https://www.lingv.ro/index.php…)


Me ftesë të Institutit të Gjuhësisë “Iorgu Iordan – Al. Rosetti” të Akademisë së Shkencave të Rumanisë dhe të Fakutetit të Letrave të Qendrës Universitare të qytetit Baia Mare, në këtë takim morën pjesë dy anëtarë të Komitetit Kombëtar Shqiptar të ALE-së, akad. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj dhe prof. dr. Anila Omari. Me rastin e kësaj veprimtarie Akademia e Shkencave e Shqipërisë ndërmori riorganizimin dhe përtëritjen e Komitetit Kombëtar Shqiptar duke zëvendësuar kolegët e pensionuar apo të ndarë nga jeta me dy anëtarë të rinj, prof. dr. Valter Memishën dhe prof. dr. Anila Omarin nga Akademia e Studimeve Albanologjike.


Komiteti kombëtar i ALE-së ka qenë shumë aktiv dhe bashkëpunues në vitet e kaluara, bashkëpunim që arriti nivelin më të lartë në takimin e 41 të Bordit Editorial të ALE që u mbajt në Durrës në 8-10 maj 2008 (shih më gjerëhttps://www.lingv.ro/durres%20minutes.pdf ). Për mungesë fondesh ky bashkëpunim nuk pati vijimësi që nga viti 2012 kur për herë të fundit morën pjesë dy nga anëtarët e Komitetit shqiptar, Gj. Shkurtaj e K. Topalli. Pjesëmarrja e studiuesve nga Shqipëria në ALE është me rëndësi për mbulimin me të dhënat për shqipen të hartave të këtij Atlasi.


Mbledhja e Durrësit e vitit 2008 kishte caktuar detyrë për Komitetin shqiptar përpilimin e hartës për nocionin “il danse” (“vallëzon”), detyrë që nuk ishte realizuar nga Komiteti për shkak të ndërprerjes së kontakteve me ALE-në. Në takimin e sivjetshëm, studiuesit nga Shqipëria zgjodhën të paraqesin të dhënat që ofron gjuha shqipe për ato nocione që do të referoheshin në takim nga kolegët e Komiteteve të tjera kombëtare të ngarkuar me detyrën përkatëse: 159 dent “dhëmb”, 342 abeille “bletë”, 069 siègle “thekër”, 271 l’aire “trevë, zonë etj.”, 082 plantain “gjethe delli”, 299 jars “patok”. Për secilin nga këto nocione u paraqitën të dhënat për përhapjen gjeografike-dialektore, variacionet formale dialektore, fjalëformimin, frazeologjinë dhe etimologjinë e fjalës. Gj. Shkurtaj referoi për nocionet “dhëmb” dhe “bletë”, ndërsa A. Omari për nocionet “thekër”, “trevë”, “gjethe delli” e “patok”. Prezantimi u prit me interes nga pjesëmarrësit në takim dhe u kërkua të dërgohet për botim në revistën dialektologjike të Institutit të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave të Rumanisë.
Takimi i 51-të i ALE-së i mbylli punimet me sukses dhe organizatorët falenderuan pjesëmarrësit duke vënë në dukje nivelin e lartë të prurjeve të sivjetshme.


Veprimtaria u mbyll me vizitat mbresëlënëse në Kontenë Lapush dhe në krahinën interesante të Maramureshit ku bën pjesë qyteti Baia Mare. Me këtë rast pjesëmarrësit vlerësuan mikpritjen e mirënjohur rumune, natyrën e lulëzuar e të pastër, objektet e kultit karakteristike e të mirëmbajtura, traditat e ruajtura me zell si dhe gatimet tradicionale.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL