Konferenca shkencore: “Prof. dr. Kolë Ashta dhe studimet albanologjike ndër vite”

2 Korrik, 2018 Njoftime

Më datën 29 qershor 2018, prof. asoc. dr. Evalda Paci mori pjesë në konferencën shkencore: “Prof. dr. Kolë Ashta dhe studimet albanologjike ndër vite”, organizuar nga Instituti i Studimeve Albanologjike pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, me rastin e 100 – vjetorit të lindjes së prof. dr. Kolë Ashtës. Prof. asoc. dr. Evalda Paci u paraqit në këtë konferencë me kumtesën me titull Kolë Ashta, gjurmues inovator i teksteve të vjetra shqipe.

Evalda Paci u përqendrua në trajtimin e kontributeve të njëpasnjëshme të profesor Kolë Ashtës në fushë të gjurmimit të teksteve të vjetra shqipe, që cekin një periudhë të konsiderueshme kohore e mbeten dëshmi e përkushtimit të rrallë të këtij studiuesi në drejtim të konsolidimit të një tradite studimesh që ka të bëjë me letërsinë e vjetër shqipe dhe autorët përfaqësues të kësaj periudhe. Në proces të gjurmimeve të veta në këtë fushë studimi, Kolë Ashta i ka kushtuar vëmendje dhe trajtimit të një konteksti specifik që ka mbështetur dhe realizimin e veprave të kësaj letërsie. Kjo prirje pasqyrohet qartë në shkrime dhe artikuj që janë botuar në revista shkencore të kohës, por dhe në trajtesat me të cilat ky studiues ka introduktuar studime me vlerë që janë përqendruar kryesisht në evidentimin dhe hulumtimin e leksikut të veprave të autorëve si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Lekë Matranga, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Teodor Kavalioti etj.

Veçanërisht me interes paraqiten studimet mbi tekste të veçanta nga libri i Gjon Buzukut (psalme, himne, pjesë biblike), trajtesat mbi botimet dhe ribotimet e veprave të Pjetër Budit, mbi shënimet dedikatore që i prijnë Dicionarit latinisht-shqip (1635) të Frang Bardhit, studimi i thelluar e shumëdimensional i veprës Cuneus Prophetarum të Pjetër Bogdanit (1685), gjurmimet mbi zëra të veçantë nga tekstet e Akteve të Koncilit të Arbënit (1706), gjithashtu dhe nga Compendiumi doktrinar i Gjon Nikollë Kazazit (1743). Objekt i vëmendjes së profesor Kolë Ashtës kanë qenë dhe dokumentet shkrimore parabuzukiane, për të cilat gjithashtu ka realizuar kontribute me vlerë në shumë pikëpamje, të pasqyruara gjthashtu dhe në njërin prej vëllimeve që pasqyrojnë punën voluminoze të tij me leksikun historik të gjuhës shqipe.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL