Konferenca shkencore me temë: “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu dhe epoka e tij”

25 Qershor, 2018 Njoftime
Prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, mori pjesë në konferencën shkencore me temë: “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu dhe epoka e tij”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ai prezantoi aty kumtesën me titull: “Etnografia për Skënderbeun: Një analizë antropologjike për Heroin Kombëtar”.
Në këtë kumtesë u parashtrua projekti institucional Antropologjia e Heroit, duke u ndalur tek aksi kërkimor individual, që është shqyrtimi i vendit që zë Skënderbeu në kozmologjitë sinkretike përkundrejt kozmologjive historiografike. Mbetet për t’u parë se si njeriu gjendet sot në mes këtyre dy situatave, pra asaj sinkretike dhe asaj historiografike. Një gjë e tillë kërkohet të realizohet duke pasur në vëmendje rolin e dhënë kësaj figure për domethënien kolektive mbi veten dhe tjetrin, të drejtën, drejtësinë dhe gjerësisht origjinën apo origjinat e imagjinuara të së drejtës (kanunore). Duke synuar një analizë kritike, procesi shqyrtues do të duhet të kalojë nëpër një ndërndeshje mes rrafsheve diskursive me ato empirike. Të proceduarit në këtë mënyrë, implikon nevojën për marrjen në shqyrtim të politikave të dijes, njohjen me teknika të mbledhjes së të dhënave (etnografike, folklorike, historike), statusin dhe hierarkinë e këtyre të dhënave pasqyruar në tekst, hierarkizmi dhe interpretimi i këtyre fakteve. Në një rrafsh më të gjerë teorik, rrahja e një teme të tillë rreket të risjellë në debat teorinë antropologjike mbi shoqërinë bashkëkohore, raportin e antropologjisë me kulturën e shkruar (p.sh. me historinë), imagjinatën ose kujtesën kolektive, dhe të drejtën.
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL