Workshopi me temë: “Kick OFF Albania, Projekti HEFA”

21 Qershor, 2018 Njoftime

Me datë 20 qershor 2018,  në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Instituti i Arkeologjisë (pranë ASA-së) dhe Universiteti i Urbinos (Itali), organizuan workshopin me temë: “Kick OFF Albania, Projekti HEFA”, me pjesëmarrjen e  personaliteteve shkencore, politike dhe diplomatike. Qëllimi i këtij workshopi ishte prezantimi i projektit për rikonstruksionin e laboratorit të restaurimit, të Institutit të Arkeologjisë si dhe trajnimin e specialistëve për restaurimin, konservimin dhe menaxhimin e objekteve arkeologjike.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Alberto Cutillo, vlerësoi bashkëpunimin në fushën e arkeologjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, duke e konsideruar atë si një urë lidhëse për kulturën e këtyre dy vendeve. Po ashtu,  përshëndeti edhe drejtori i Institut të Arkeologjisë, prof. dr. Luan Përzhita, i cili ndër të tjera theksoi rëndësinë që ka rikonstruksioni i laboratorit të restaurimit në të cilin do të trajtohen objektet metalike, ku një pjesë e tyre aktualisht janë në një situatë jo të mirë. Dr. Pietro Ivanoch D’Aleo, koordinatori i projektit, foli në mënyrë më të detajuar lidhur me këtë projekt dhe dy fazat në të cilat ai do të kalojë. Faza e parë ka të bëjë me rikonstruksionin e ambientit, ku do të ngrihet  laboratori i restaurimit, ndërsa faza e dytë me specializimin e punonjësve restaurues.

Në këtë workshop morën pjesë gjithashtu dhe shumë studiues nga Universiteti i Urbinos, përfaqësuesi i Bankës Intesa Sanpaolo Albania,  z. Silvio Pedrazzi etj.

 

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL