Seminari “Përthyerje antropologjike”

21 Maj, 2018 Njoftime

Seminari “Përthyerje antropologjike”, rimerr takimet e tij të përmuajshme, të premten e fundit të muajit, datë 25 maj.

Ky takim shënon dyvjetorin e këtij seminari, të themeluar në 27 maj 2016.

Dr. Edmir Ballgjati, muzikolog pranë Departamentit të Folklorit në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, do të analizojë fenomenin muzikor të ahengut shkodran nga një perspektivë antropologjike.

Abstrakt 

Ahengu shkodran është një repertor mjaft i veçantë në pikëpamje të organizimit dhe veçorive të veta muzikore. Nuk është rastësi që, në tërësinë e muzikës tradicionale shqiptare, ai është mbase repertori urban më i diskutuar në këndvështrimin muzikologjik. Por krejt e kundërta ka ndodhur me interpretimin e tij në një kontekst më të gjerë kulturor, domethënë, në kuadrin e një këndvështrimi të përgjithshëm antropologjik. Në këtë trajtesë, do të parashtrohet pikërisht një lexim i tillë i këtij repertori, lexim i cili do të ndjekë dy linja themelore: ahengun shkodran si fenomen kulturor, që do të thotë: roli, përdorimet dhe funksionet e tij në tërësinë e shoqërisë dhe kulturës ku gjalloi, dhe nga ana tjetër ahengun si objekt studimor, specifikisht, si nocion dhe objekt ligjërimor në kuadrin e studimeve të disiplinës së etnomuzikologjisë dhe veçanërisht në kuadrin e diskutimeve identitare ndër elitat shqiptare. Ndryshe nga çfarë është pretenduar herë pas here, se këngët e ahengut nuk rrodhën drejtpërdrejt nga kontekste historike e sociologjike, argumentohet se ato e pasqyrojnë një kontekst të tillë në shumë nivele, duke filluar me atë më të dukshmin, ekologjinë e këngës, deri në aspekte të tjera më të thella, më pak të dukshme, siç janë ato të gjinisë, pushtetit, botëkuptimit, etj. Në këtë kuadër do të shqyrtohet edhe trajtimi specifik që mori repertori në kuadrin e politikave kulturore të periudhës socialiste, si pjesë e atij procesi që çoi nga ‘ahengu’ tek ‘muzika popullore.’

Si gjithnjë hyrja e lirë për të gjithë. Jeni të mirëseardhur!

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL