Konferenca shkencore me temë: “Çështje të leksikografisë, leksikologjisë, stilistikës, filologjisë dhe të shqipes standarde në veprën e prof. dr. Xhevat Lloshit”

14 Maj, 2018 Njoftime

Në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së prof. dr. Xhevat Lloshit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare organizuan të premten, më datë 11 Maj, konferencën shkencore me temë: “Çështje të leksikografisë, leksikologjisë, stilistikës, filologjisë dhe të shqipes standarde në veprën e prof. dr. Xhevat Lloshit”, me pjesëmarrjen e akademikëve, studiuesve dhe gjuhëtarëve nga Tirana dhe Prishtina.

Nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike morën pjesë: Prof. dr. Valter Memisha i cili paraqiti kumtesën me temë: “Kontributi i prof. dr. Xhevat Lloshit në terminografi”; prof. dr. Anila Omari e cila paraqiti kumtesën me temë: “Veçori dialektore të gjuhës së përkthimit të Ungjillit sipas Mateut nga Vangjel Meksi, 1820”; prof. dr. Artur Lamaj i cili paraqiti kumtesën me titull: “Vështrime të prof. Xhevat Lloshit për ligjërimin poetik” dhe prof. dr. Tomorr Plangarica i cili paraqiti kumtesën me titull: “Koncepte dhe kahje teorike të pranishme në një dije të mirëpërvijuar (mbi kontributet e prof. dr. Xh. Lloshit në studimin e kontributeve stilistike të shqipes)”.

Nëpërmjet kumtesave të tyre studiuesit paraqitën kontributin e jashtëzakonshëm, që prof. dr. Xhavit Lloshi ka dhënë në kulturën studimore shqiptare si dhe në fushën e leksikografisë, leksikologjisë, stilistikës, përkthimit, etj.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL